×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti përkujton 3 dhe 4 shkurtin- S’e thotë asnjë fjalë për Ivanoviqin, të dënuarin nga gjykata për masakrën në veri të Mitrovicës

    Insajderi
    04 February 2024 - 17:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e 3 dhe 4 shkurtit të 2000-ës, ku në pjesën veriore të Mitrovicës u vranë dhjetë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë, me qëllim të spastrimit etnik. Në përkujtimin e tij s’përmendet kurrkund Oliver Ivanoviqi, i dënuari me nëntë vite burgim nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, e cila e gjeti përgjegjës për këtë masakër dhe atë të 14 prillit të 1999’ës. Kurti në përkujtimin e fundit për Olivanoviqin, për këtë të fundit zgjedhte fjalët më të mira për ta përshkruar.

    Kurti në përkujtimin e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit thotë se ajo u realizua në prezencën e trupave të KFOR’it. Ai gjithashtu ka akuza edhe për legjislaturat e mëhershme, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës”, thuhet në postimin e tij.

    “Tani pas 24 vitesh nga shkurti i vitit 2000, gjendja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në veri të vendit në përgjithësi, ka ndryshuar shumë falë angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe strukturave shtetërore të sigurisë. Organizatat kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste, kurse vendosja e rendit dhe e ligjit në veri ka pasur përparime të mëdha dhe është në rrugë të mbarë për t’u forcuar”, vijon postimi i shefit të Qeverisë.

    Natën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë u vranë: Bashkim Rrukevci, Muharrem Sokoli, Nezir Voca, Shqipe Voca, Remzije Canhasi, Nderim Ajeti, Niman Sejdiu, Sebaha Abrashi, Selime Berisha dhe Nexhmije Xhaka.

    Për këtë masakër, të 3 dhe 4 shkurtit dhe atë të 14 prillit të 1999’ës, Gjykata Themelore e Mitrovicës shpalli fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet burg tashmë politikanin e vrarë serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

    Ivanoviq, sipas aktakuzës të asaj kohe, ishte udhëheqës i njësitit policor paramilitar dhe së bashku me komandantin e atëhershëm të policisë në Mitrovicë, Dragolub Delibashiq, akuzoheshin për veprën e nxitjes dhe bashkëpjesëmarrjes në kryerjen e veprave të rënda penale, vrasje dhe tentim vrasje, si dhe dëbim të shqiptarëve në Mitrovicë, gjatë trazirave, në shkurt të vitit 2000.

    Kurti në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit, në një përkujtim të 2023-ës thotë se ky i fundit u angazhua për pluralizëm politik në Kosovë.

    “Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, pati thënë Kurti.

    “Një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij në Mitrovicë ndërsa këtë e ka bërë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”, vijonte Kurti për përshkrimin ndaj tij. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark