
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për treg të hapur të energjisë elektrike.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë të enjten ka thënë se “koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar”, duke aluduar në protestat që pritet t’i bëjnë bizneset që po e kundërshtojnë vendimin e ZRRE’së për hapjen e tregut të rrymës, shkruan Insajderi.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami pas kësaj i ka reaguar Kurtit.
“Barrikadat” e Kurtit, Bajrami i quajti të turpshme, dhe se po i krahason këto protesta me barrikadat e Listës Serbe.
“Lexova se Kurti kishte thënë që ka kaluar koha e barrikadave, kjo konsideroj që është e turpshme, për shkak se të gjithë ne e dimë se në çfarë konotacioni përdoret barrikada, derisa zoti Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme për koston e transportit prej 800 euro të 1 MgW të energjisë elektrike, ai sot protestën e bizneseve e krahason me barrikadat e vendosura nga Lista Serbe, dhe kjo është totalisht e papranueshme”, tha ai.
Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve po ashtu tha se protesta e bizneseve kundër liberalizimit të tregut energjetik nuk është e krahasueshme me barrikadat në veri të Kosovës.