Kryeministri Albin Kurti, ka publikuar disa prova të reja, sipas të cilit dëshmojnë se tre zyrtarët policorë kosovarë janë kidnapuar përbrenda territorit të Kosovës.
Tryeza e ngrënies prej ku sipas versioneve zyrtare janë arrestuar tre policët kosovarë është shtatë metra nga vetura e policisë, sipas Kurtit. Kryeministri, kësisoj, deklaron se kidnapimi ka ndodhur një kilometër në brendi të rrugës së bllokuar ilegale, shkruan Gazeta Insajderi.
“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka deklaruar ai, teksa ka bashkëngjitur fotografi nga ‘Google Earth’ që tregojnë distancën e policëve nga kufiri me Serbinë.
Ai, kësisoj, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve kosovarë. Po ashtu, kryeministri kërkoi nga faktorët ndërkombëtarë të dënojnë, siç tha ai, shkeljen e Marrëveshjes së Kumanovës.
“Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999”, deklaroi shefi i Qeverisë.
“Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës”, përfundon postimi i kreut të ekzekutivit kosovar. /Insajderi.org/