×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti s’i ndahet prokurorisë dhe gjyqësorit, ua “hedh topin” në luftimin e krimit dhe korrupsionit

    Insajderi
    25 March 2024 - 09:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës ka bërë një shkrim për tre-vjetorin e qeverisjes së tij. Në atë shkrim, çdo fjali prezantohet si pozitive dhe shpresëdhënëse. Përveç fjalisë kur flet për gjyqësorin dhe prokurorinë. Për pushtetin e tretë në rendin demokratik, ai thotë se e kanë në dorë çështjen e eliminimit të korrupsionit.

    Në shkrimin e tij Kurti përmend si sukses të parë përmirësimin e renditjes së Kosovës në indeksin e ‘Transparency International’ mbi Perceptimin e Korrupsionit, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ka më shumë sundim të ligjit. Korrupsioni po luftohet. Në indeksin e Transparency International mbi Perceptimin e Korrupsionit jemi përmirësuar për 21 vende në tri vjet dhe qëndrojmë në renditjen më të lartë ndonjëherë. Eliminimi i tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori”, thuhet në postim.

    Përveçqë me shkrim, ai edhe përmes një tabele prezanton sasinë e substancave narkotike të konfiskuara nga Policia e Kosovës përgjatë qeverisjes së tij dhe mallrat e sekuestruara nga Dogana.

    “Mbi 2.4 ton substanca narkotike janë konfiskuar nga Policia e Kosovës. Afër 37 milionë euro mall dhe asete të sekuestruara dhe konfiskuara nga operacionet e Doganës së Kosovës. Numri i inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është rritur për rreth 63% në krahasim me vitin 2019 – shifër kjo rekord e inspektimeve. Paraja publike shpenzohet me përgjegjësi dhe ruhet e mbrohet gjithashtu. Mbi 145 milionë euro i janë kursyer buxhetit të Kosovës nga tri procese të fituara në arbitrazhin ndërkombëtar”, vijon shkrimi.

    “Në veri të vendit është ulur ilegaliteti, e po shtohet ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, dhe janë shkatërruar 9 laboratore droge, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro nga hetimet mbi sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, ku humbëm rreshterin shembullor Afrim Bunjaku por fituam një Hero të Kosovës dhe dolëm fitues e faqebardhë”.

    “Atje tash janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, e nuk kishte asnjë deri në vitin 2021. Pas 24 vjetëve në komunat veriore janë hapur e funksionalizuar zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe të Kadastrave Komunale në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve të ligjshme. Me largimin e targave ilegale, siguria publike është më e mirë. Po shtrohen rrugë që lidhin fshatrat mes vete në veri e me komuna në jug, po ndërtohen e rinovohen shtëpi të banorëve, e po modernizohet infrastruktura e telekomunikimit dhe internetit për shërbimet 4G+ dhe 5G”.

    “Qeverisje e sundimit të ligjit, e të gjithëve, pa dallim”, përfundon postimi i tij. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark