×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kurti s’ia njeh “vijat e kuqe” Vuçiqit, Neni 4 prodhon fërkimet e para të para-marrëveshjes

    Insajderi
    02 March 2023 - 09:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, prospekt ky që aktualisht s’duket gjëkundi në horizont edhe po qe se vetë Serbia bilateralisht do ta njihte Kosovën, ka prodhuar shkëndijat e para të fërkimit pas pranimit verbal të planit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Insajderi

    Vetoja ruse dhe kineze qëndrojnë të ngurta në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dy Anëtarët e Përhershëm të këtij organi të OKB-së që Kosovës kaherë nuk i kanë dhënë dritën jeshile.

    Që nga nisma frankogjermane për të hartuar një plan normalizimi për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka artikuluar tri “vija të kuqe” të cilat, sipas tij, nuk janë të negociushme. Njohja juridike e shtetësisë së Kosovës, lejimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB, dhe zbatimi i marrëveshjeve paraprake, përkatësisht Asociacioni, kanë qenë kategorike në pozicionin serb negociator.

    Serbia ka herë asetin e saj më të madh kundërshtues të Kosovës e ka pasur në OKB, përkatësisht në sigurimin e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe reduktimin e votave për anëtarësimin e Kosovës në OKB, ku nga 193 shtete anëtare, Serbia pretendon se Kosova nuk ka më shumë se 88 vota për, ndryshe nga vetë Kosova e cila i pretendon 117 vota.

    Në një intervistë në televizionin publik serb, Aleksandar Vuçiq, tha se në asnjë mënyrë nuk do të nënshkruajë një marrëveshje e cila ia shtron Kosovës rrugën para në anëtarësimin e saj në OKB.

    Ishte kjo dekalratë e Vuçiqit e cila zgjoi reagimin e Kryeministrit Albin Kurti, i cili shkroi se ky zotim dhe kjo deklaratë e presidentit serb “do të përbënte shkelje të qartë të Nenit 4” të plan propozimit evropian, të cilën palët thuhet ta kenë pranuar, ndonëse nuk është nënshkruar formalisht.

    Neni 4 – Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

    Serbia, në anën tjetër, është gjendur para një situate ku është vendosur mes arritjes së një marrëveshje me Kosovën ose vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse, ku në këtë rastin e dytë do të merrte përgjigjen ruse, ku siç frikësohet opinioni publik serb atje, do të kishte të bënte saktësisht me heqjen e vetos ruse ndaj Kosovës në Këshill të Sigurimit. Andaj, siç komentohet atje, Vuçiq ka kërkuar siguri që në marrëveshjen e re me iniciativën frankogjermane, të përfshihet një pikë ose të merrr zotim nga ndërmjetësuesit që s’do ta lejohet aplikimi i Kosovës në OKB.

    Për të aplikuar në OKB, Kosovës i duhen 2/3 e votave të Asamblesë së Përgjithshme në favor të pavarësisë së Kosovës, si dhe 9 nga 15 votat e Këshillit të Sigurimit – dhe që asnjëra nga Pesë Anëtaret e Përhershme të mos vendos veton – Kina dhe Federata Ruse.

    Kina dhe Federata  Ruse, nuk kanë dhënë asnjë indikacion që do të hiqnin veton edhe po qe se vetë Serbia do ta nënshkruante njohjen e Pavarësisë së Kosovës./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark