×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti takohet me senatorin amerikan, diskutojnë për raportet Kosovë-SHBA

    Insajderi
    08 August 2023 - 21:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Senatorin amerikan, Jack Reed, njëherësh kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së.

    Kryeministri falënderoi Senatorin Reed për mbështetjen e pandërprerë të SHBA-së ndaj Kosovës në çdo fazë të çlirimit, pavarësimit dhe zhvillimit, teksa ndau me të kujtime dhe përvojën dhe përshtypjet e tij nga vizita që e kishte realizuar në shtetin e Rhode Island, shtet ky të cilin senatori Reed e përfaqëson në Senatin amerikan.

    “Kryeministri Kurti vendosi theksin te rritja e buxhetit në fushën e mbrojtjes, ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë, dhe bashkëpunimin e afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e misioneve jashtë vendit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç ishte rasti me bashkë-zbarkimin me Gardën Kombëtare të Iowas në Kuvajt”, thuhet në komunikatën për media nga kryeministria.

    Një nga temat e prekura gjatë takimit ishte edhe strehimi i afganëve në Kosovë dhe gjithashtu ndihma e SHBA-ve ndaj Kosovës gjatë luftës.

    “Senatori Reed u shpreh falënderues për mikpritjen. Ai veçoi vendimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë, duke shprehur mirënjohjen e tij. Ndër të tjerash, tha se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive”, thuhet tutje në komunikatë.

    Në këtë takim Senatori Reed po shoqërohej nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark