Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se këtë vit buxheti për komunat në vend është më i lartë ndonjëherë në vendin tonë. Ai ka mohuar akuzat se po favorizohen komunat e afërta me Lëvizjen Vetëvendosje.
Gjatë një takimi me kryetarët e komunave së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, teksa ka shtuar se buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023, ndërsa për tri vite mandat buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë.
“Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 744 milionë euro dhe është buxheti më i lartë ndonjëherë në Kosovë. Granti për komunat e kap shumën e 284 milionë euro, që është Granti më i madh ndonjëherë në Kosovë dhe komunat si Ferizaj dhe Gjakova janë komunat që përfitojnë më shumë për investime nga Ministria e Infrastrukturës. Po dëgjojmë fjalë se komunat e afërta me pushtetin po përfitojnë më shumë, e kjo nuk qëndron aspak”, tha Kurti.