×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti thotë se ka pak trupa të NATO’s në Kosovë, kërkon nga Britania që ta rrisë praninë

    Insajderi
    19 March 2024 - 23:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Britania e Madhe duhet të dërgojë më shumë trupa në Kosovë për të parandaluar luftën në Ballkanin Perëndimor.

    Ka vetëm një prani “simbolike” të NATO-s në vend dhe se kjo nuk do të mjaftonte për të parandaluar pushtimin nga Serbia, tha Kurti për mediumin britanik ‘The Telegraph’ në një intervistë, përcjell Gazeta Insajderi.

    Vërejtjet e kryeministrit erdhën pasi Aleksander Vuçiq, presidenti i Serbisë, la të kuptohet për një përpjekje për të rimarrë Kosovën në fillim të kësaj jave, duke thënë se Beogradi do të “priste momentin më të mirë të mundshëm”.

    I pyetur nëse Britania duhet të rrisë praninë e saj ushtarake në rajon, Kurti tha se “Britania e Bashkuar është pjesë e NATO-s dhe ata veprojnë në atë mënyrë. Unë besoj se duhet të ketë më shumë trupa të NATO-s në Kosovë”

    NATO ka 4000 trupa në terren në Kosovë, por Kurti tha se vendi i tij “mund të mbrohet edhe më mirë” dhe se “NATO mund dhe duhet të angazhohet më shumë në Kosovë si ushtarakisht ashtu edhe politikisht” për shkak të kërcënimit nga Beogradi.

    Kurti tha se ai i kishte kërkuar Brukselit për më shumë trupa në Kosovë “disa herë”, edhe para pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin më shkurt të 2022-ës dhe përsëri vitin e kaluar, kur persona të armatosur serbë sulmuan Policinë e Kosovës në veri të vendit.

    Shefi i Qeverisë pranoi se ndërsa prania e trupave ishte “substanciale” në veri, në përgjithësi ajo nuk është rritur “shumë” dhe është “përgjithësisht simbolike”.

    Kurti, sipas mediumit britanik, vuri në dukje terrenin “malor” të Kosovës, që e bën të vështirë mbrojtjen, si dhe 16 rrugët ilegale që serbët kanë përdorur për kontrabandën e municioneve dhe pajisjeve ushtarake në zonat me shumicë serbe, të cilat që atëherë janë mbyllur.

    “Ata [Serbia] po presin një dritare mundësie për të na sulmuar”, tha ai.

    Shqetësimi më i madh i Kurtit si lider i Kosovës është Vuçiq, të cilin ai e përshkroi si “Putinin e vogël” për shkak të miqësisë së tij me presidentin rus.

    Ai tha se “nuk ishte çudi” që në dhjetor të vitit të kaluar Vuçiq tregoi admirim publik për Ilham Aliyev, presidentin e Azerbajxhanit, kur mori rajonin e Nagorno-Karabakut nga forcat armene, duke pasur parasysh ambicien e tij për të pushtuar Kosovën.

    “Për shkak të kërcënimit që Serbia po na paraqet dhe për shkak të lidhjeve të shumta me Kremlinin, të kemi më shumë kapacitete dhe aftësi për ushtrinë dhe policinë tonë dhe më shumë trupa të NATO-s do të rriste sigurinë e vendit tonë dhe të rajonit”, theksoi Kurti.

    “Besoj për aq kohë sa Serbia nuk e njeh Kosovën, përderisa Serbia mban 48 baza operative rreth vendit tonë dhe për sa kohë Serbia është aleate e ngushtë e Kremlinit, duhet të ketë më shumë kapacitete nga ana jonë dhe më shumë trupa të NATO-s”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark