×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti vazhdon “fushatën” pasi paralajmëroi zgjedhjet, kësaj radhe flet për Luginën e Preshevës

    Insajderi
    31 March 2024 - 10:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndonëse data e përvjetorit të formimit të Qeverisë Kurti ka kaluar tash e një javë, kryeministri po vazhdon fushatën. Tash e një javë përmes disa të dhënave tabelare Kurti po i paraqet sukseset e pretenduara të qeverisë së tij. Kësaj radhe, shefi i Qeverisë ka shkruar për Luginën e Preshevës.

    Kurti me anë të një postimi në ‘Facebook’ thotë se shqiptarët e Luginës po gëzojnë mbështetjen e Qeverisë Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”, ka deklaruar ai.

    “Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore”.

    “Juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë ua mundësuam aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore këtu në vend. Studentëve të diplomuar të mjekësisë kuota për shkollim specialistik dhe mbështetje financiare në nivel të barabartë me specializantët nga Kosova”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.

    Kurti vazhdoi t’i prezantonte sukseset e pretenduara përgjatë mandatit të tij tash e shtatë ditë nëpër sektore të ndryshme (arsim, ekonomi, drejtësi…).

    Ai këto suksese po i prezanton tashmë kur ka paralajmëruar mundësinë e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark