
Pa paralajmërim, nën masa të rrepta sigurie, kryeministri Albin Kurti sot ka marrë rrugën për në Veriu e Kosovës. Ai ka zhvilluar disa vizita. Fillimisht në Leposaviq ku u takua edhe me kryetarin, Lulzim Hetemi, për të vazhduar tutje rrugën për në Zubin Potok.
Atje Kurti nuk takoi kryetarin, Izmir Zeqiri i cili vije nga radhët e PDK-së.
Se nuk e takoi për Insajderin e ka konfirmuar vet Zeqiri duke theksuar se nuk ka qenë në dijeni të vizitës së tij.
“Jo nuk jam takuar… nuk kam qenë i informuar për vizitën e tij”, tha ai.
Kryetari u shpreh se në momentin kur Kurti kishte arritur në komunë, nuk ishte i pranishëm në ambiente pasi kishte një takim në Mitrovicë.
Ai shtoi se lajmin për vizitën e kryeministrit e kuptoi nga gazetarët.
“Jo kam pasur një takim në Mitrovicë dhe nga gazetarët kam kuptuar se kryeministri është në vizitë në Zubin Potok”, u shpreh ai për Insajderin.
Pas Zubin Potokut, Kurti për vizitë u ndalë edhe në Mitrovicën e Veriut. Atje e takoi edhe kryetarin Erden Atiq.
Theksojmë se forca të Policisë së Kosovës siguruan objektin komunal dhe rrugët që të çojnë te ai.
Në Veri Kurti u shoqërua nga ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi.
/Insajderi