×
  • Lajme
  • Analiza

    Kurtit i bien fjalët në ujë – Pak minuta pas premtimit për arrestim të kriminelëve, i lirohet i akuzuari për terrorizëm  

    Insajderi
    28 December 2022 - 13:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministrit, Albin Kurti duket se nuk po i ecën fjala. Nuk ishin as çështje orësh kur nuk u morën për bazë deklaratat e tij. I pari i qeverisë deklaroi në mbledhje se nuk “bisedojnë me kriminelë, por i arrestojnë”. Por, ende pa përfunduar mbledhja i akuzuari për terrorizëm, Dejan Pantiq për të cilin u barrikadua i gjithë veriu, u lirua nga paraburgimi.

    “Nuk bisedojmë me kriminelët, i arrestojmë ata”. Kështu deklaroi në mbledhjen e sotme të qeverisë, i pari i ekzekutivit, Albin Kurti.

    Duke iu referuar vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës, Kurti tha se kriminelët e veriut po sfidojnë organet e zbatimit të ligjit.

    “Kriminelët po sfidojnë organet e zbatimit të ligjit. Këta kriminelë të sanksionuar nga SHBA e Britania po mbështeten nga Qeveria dhe presidenti i Serbisë. Kosova dhe institucionet e saja nuk do të bisedojnë me kriminelët, por do t’i arrestojnë ata. Vendosja e barrikadave është veprim i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”.

    Nuk shkoi shumë kohë, fjalët e kryeministrit ranë në ujë. Ish-polici serb, Dejan Pantiq u lirua nga paraburgimi.

    Të akuzuarit për sulm terrorist ndaj zyrave të KQZ-së në veri të Mitrovicës,  iu zëvendësua masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së Sigurisë nga Paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe Dejan Pantiq duke e zëvendësuar masën nga paraburgimin në arrest shtëpiak”, ka thënë për Insajderin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Pas këtij vendimi, Kurti u bë kinse nuk ishte në dijeni. Madje, në konferencën për media ai u shfaq i nervozuar.

    Kurti kërkoi të di se kush është ai prokuror e gjyqtar që e kanë lejuar kjo të ndodhë. Ai potencoi se Pantiq kishtë një akuzë për terrorizëm.

    “Nuk e di këtë çështjen gjyqësore, procedurale të atij që është i pandehur që po mbahej në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Në qëndrim të paraburgimit e ka statusin e të paraburgosurit por njëkohërisht është i pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë unë kam dëgjuar meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte problem me zemër, do të mund të dërgohej në spital që është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësori”.

    “Mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm, të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtarë se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha kryeministri.

    Pas fjalimit, kryeministri nuk pranoi pyetje nga gazetarët. Ai është parë duke lëshuar sallën ku po mbahej konferenca.

    Ndryshe, sot janë bërë 19 ditë prej kur veriu i Mitrovicës është në barrikada. Serbët kanë barrikaduar të gjitha rrugët kryesore për shkak të arrestimit të Dejan Pantiqit.

    Kërkesa e tyre, për tri javë ishte lirimi i tij. Vetëm nëse kjo ndodhë, serbët deklaruan se barrikadat do të hiqen.

    Pas ndryshimit të masës ndaj Pantiqit, mbetet të shihen nëse serbët do t’i largojnë barrikadat apo do të duhet intervenimi i autoriteteve kosovare ose KFOR-it. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark