Burokracia, korrupsioni, sundimi i ligjit dhe luftimi i islamit radikal do të mbesin sfidat kryesore për Kosovën, ku shteti i Austrisë pret që ato të luftohen seriozisht, derisa rikonfirmohet se Kosova ka një imazh që po e dëmton në vazhdimësi të ardhmen e saj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, ka numëruar stagnimet dhe pritshmëritë që shteti austriak ka ndaj Kosovës.
“E para, çrrënjosja e burokracisë sepse kjo e bën më të lehtë për afaristët të jenë më aktivë dhe ta zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë”, ka thënë ai.
“E dyta, është nevoja për ta luftuar korrupsionin sepse korrupsioni është kanceri i një shoqërie dhe hapi i tretë është sundimi i ligjit që përbën bazën e tërheqjes së investitorëve në Kosovë, në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik për vendin”, ka thënë Kurz për “Zërin”.
Ndërkohë ka fajësuar edhe opozitën për prishjen e imazhit të Kosovës me veprimet e tyre që vazhdimisht paraqiten në mediet ndërkombëtare./Zëri.info