Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se zgjidhja e situatës politike në vend është e mundur nëse ekziston vullneti për kompromis dhe konsensus ndërmjet partive politike.
Duke folur për paralajmërimet për një zgjidhje të jashtëzakonshme dhe kërkesën për një projektligj lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, Kusari-Lila ka kërkuar që hapat e ardhshëm të jenë të menduar mirë, veçanërisht për shkak të afateve që lidhen me zgjedhjen e presidentit dhe proceset në Hagë.
“Mendoj se kur ka vullnet, ka edhe zgjidhje. Megjithatë duhet pasur shumë kujdes që zgjidhjet të cilat lidhen me këto afate që rastësisht mund të jenë të ndërlidhura, do të thotë zgjedhja e presidentit edhe kërkesa e Partisë Demokratike, duhet të jenë të menduara mirë. Mos të harrojmë, afati për të apeluar aktgjykimin e tmerrshëm të Dhomave të Specializuara në Hagë është 30 ditë pas prezantimit apo publikimit, in fact ende se është publikuar në tërësi, por njoftimit për vendimin. Dhe 30-ditëshi përkundrejt 6 tetorit që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, 30-ditëshi për dorëzimin e apelit është 16 tetori, pas të cilit janë edhe 60 ditë të tjera për t’u targetuar në tërësi lënda e prezantuar që vjen pas 10 vjetëve. Do të thotë ne duhet të kemi parasysh që në nguti dhe në këtë, si të thuash, ndërlidhje të këtyre afateve që po duken natyrshëm të ndërlidhura, por që është shumë e rëndësishme një gjë ta kemi të përbashkët. Dhe emëruesi i përbashkët duhet të jetë që të evitohen zgjedhjet”.
“Si evitohen zgjedhjet? Që vendi duhet të ketë një president deri më 6 tetor. Për të pasur vendi një president deri më 6 tetor, e para dhe më e rëndësishmja është që partitë të kenë një konsensus për një kandidat konsensual dhe pastaj të gjitha bashkë në punën e përbashkët, të kujdesshme, të rëndësishme për ligjin për Dhomat e Specializuara, në mbështetjen e ekipit për ekipe mbrojtëse për apelin, i pari afat 16 tetori, i dyti afat 15 dhjetori kur kjo lëndë duhet të dorëzohet në tërësi pranë Dhomave të Specializuara të Apelit në Hagë. Do të thotë kemi të bëjmë me afate koncize, kemi të bëjmë me presion, por edhe një herë po e ripërsëris: emëruesi i përbashkët për interesin e përgjithshëm të Republikës është mosshkuarja në zgjedhje. Do të thotë gjetja e zgjidhjeve dhe këto mund të përcaktohen, programohen njëpasnjë me hapa të kujdesshëm, me mirëbesim, me mirëbesim në mes të palëve, natyrisht që të gjithë e kemi qëllimin e njëjtë”, ka thënë Kusari-Lila.