×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kush, çka, pse?| Profil i ish-zyrtarëve që u dënuan sot për rastin 53-milionëshin e famshëm

    Insajderi
    31 January 2024 - 11:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka nxjerrë aktgjykim dënues me burgim ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe disa prej ish-zyrtarëve të asaj ministrie përgjatë ditës së mërkurë.

    Vendimi i Gjykatës

    Sipas aktgjykimit, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj burgim.

    Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

    Kurse, Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tij, po ashtu u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

    Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim. Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

    Për çka akuzohej secili veç e veç?

    Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha në aktakuzën fillestare të Prokurorisë Themelore të Prishtiëns akuzoheshin se në mënyrë të kundërligjshme ia deponuan në xhirollogarinë e kompanisë amerikano-turke, ‘Bechtel – Enka” hiç më pak sesa 53 milionë euro për shtyrje afati.

    Dosjen e Prokurorisë, të cilën e kishte siguruar Indoks, zbulonte se në atë periudhë, kompanisë ‘Bechtel-Enka’ nuk iu bartën vetëm 53 milionët, por edhe një shumë tjetër prej 44 milionësh. Sipas aktakuzës, kjo shumë u bë pa u nënshkruar nga zyra e zyrtarit që ligji e thotë që duhej të nënshkruhej.

    Dy Prokurorët që e kanë nënshkruar këtë dosje, Valdet Gashi e Atdhe Dema akuzojnë Pal Lekajn se në shtator 2017 si Ministër i Infrastrukturës dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës.

    Akuzohen se duke shkelur ligjin e prokurimit e përkundër kontratës së nënshkruar me ‘Bechtel-Enka” në vitin 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të Ministrisë për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë duke mos e përcaktuar koston financiare.

    Ky veprim, sipas Dosjes i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes kërkesën për pagesën fillimisht prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit, kërkesë më pas që zbriti në 53 milionë.

    Siç pretendon Prokuroria pagesa u aprovua nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”, me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë eurosh më shumë se sa kishte paraparë opinioni i mbikëqyrësit “Hill Internacional”.

    Prokuroria pretendon po ashtu se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në cilësinë e personave zyrtarë, Pal Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare kanë marrë pjesë në këtë aferë.

    Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me “Bechtel & Enka” në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Eset Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017, detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.

    Organi i akuzës thotë se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, Ministria t’i paguajë konzorciumit amerikano-turk 53 milionë eurot.

    Prokurorët e këtij rasti pretendojnë që Lekaj dhe Berisha, në tërësi kanë injoruar anëtarët e KDNM-së, që ishin ministra të dikastereve përkatëse të përfshirë në projektin e autostradës që çon për në Maqedoninë e Veriut.

    Sipas Dosjes, Lekaj këtë opinion të “Hill” nuk ua paraqiti në komitetin për këtë punë hiç kolegëve të tij ministra të qeverisë PAN.

    Ish-këshilltari i tij, Eset Berisha akuzohet se më 1 qershor 2018 në kundërshtim të plotë me përgjegjësitë dhe detyrat e tij e në bashkëpunim të plotë me Lekaj, i kanë bërë presion drejtorit të Departamentit Ligjor të MI-së, Avdi Kamerolli, duke i kërkuar ndryshim të opinionit ligjor paraprak, në të cilin opinion rreth kërkesës për kosto financiare, përveç tjerash është konstatuar se: “Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” si përfaqësues i punëdhënësit dhe Departamenti i Prokurimit si nënshkrues i kontratës”.

    Ashtu që thuhet se më pas Kamerolli nën presion është detyruar ta ndryshojë versionin origjinal të opinionit të parë, me ç’rast ka hartuar versionin e ri duke e hequr kompaninë “International Hill” dhe duke lënë si palë kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit, veprime këto që i kanë paraprirë ekzekutimit të pagesës për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve.

    Sipas Prokurorisë Speciale këto veprime kanë shtyrë anëtarët e KDNM-së, ministra të dikastereve të tjera në Qeverinë PAN, të cilët të gjendur para një situate të tillë para fakteve të rrejshme, në takimin e 5 qershorit 2018 të marrin vendim duke i rekomanduar Qeverisë që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka” për pagesën e shumës prej 53 milionë euro.

    Krime, shkarkime

    Besim Tahiri, ish shef i tenderëve në MI, ishte dënuar për tri vite me burgim për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, bashkë me Xhelil Bekteshin, ish-sekretarin në po të njëjtën ministri.

    Tahiri bashkë me kolegun e tij i kishin bërë nder biznesmenit Naim Sallahu, që të përfitonte tenderin rreth një milionë eurosh.

    Sipas aktakuzës, Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

    Kurse Tahiri akuzohej se si shef i Prokurimit kishte ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

    Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

    Eset Berisha, të cilin gjykata e shkallës së parë e dënoi me tre vite e tre muaj burgim për rastin e 53-milionëshit, shërbente si drejtor i Aviacionit Civil nga 2019-a deri më 2020-ën. Me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, ky i fundit e shkarkoi nën arsyetimin se ka shkelur detyrat e tij profesionale.

    “Z. Berisha ka hartuar dhe nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ka degraduar stafin menaxhues pa vlerësim të përformancës, ka mbajt detyra tjera me pagesë njëkohësisht dhe ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh”, është thënë në njoftim. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark