“Secili mjek që kthehet nga diaspora për të punuar në Kosovë do të trajtohet si mjekët vendas”, kështu nisi thirrja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifit drejtuar mjekëve të diasporës në rast se dëshirojnë të kthehen e të dhënë kontributin e tyre në shëndetësisë kosovare. Një plan për kthimin e mjekëve të mërgatës ka nisur të shpalosë edhe kryeministri Albin Kurti. Kjo për shkak të gjendjes së rënduar që ka kapluar QKUK nga ikja e mjekëve dhe infermierëve viteve të fundit.
Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të siguruar nga Gazeta Insajderi, në pesë vitet e fundit asnjë mjekë nga diaspora nuk ka shprehur vullnet që të vijë e të punoj në Kosovë.
Por kush do ta linte një pagë mujore prej 20 mijë franga apo rreth 20 mijë euro në muaj për një pagë mujore bruto prej 630 euro?
Doktori Besnik Abazi, me profesion psikiatër dhe psikoterapeut në Zvicër, në një prononcim për Gazetën Insajderi ka treguar për të ardhurat personale të mjekëve në kantoni e Baselland.
Abazi i cili ka një karrierë 24 vjeçare në institucionet e shtetit, ka thënë se paga e një mjeku të posa diplomuar fillon me 9,000 franga në muaj.
Ndërsa, kur arrin në përfundim të specializimit dhe merr funksione si shefi apo drejtues reparti, paga e tij shkon nga 18.000 franga deri në 20.000 franga në muaj.
Sipas Abazit, në këtë shumë përfshihen edhe kujdestarit dhe pushimet, por në rast se punon në ndërrim të natës dhe ka më shumë përgjegjësi ka një përqindje të lehtë në pagë.
“Rroga e mjekut që fillon pas përfundimi të fakultetit fillon me 9 mijë franga në muaj, kur ta përfundon specializimin merr funksione si drejtues reparti, shefi reparti shkon deri në 18-20 mijë franga në muaj, Këto përfshihen edhe kujdestaria pushimet të integruar në coftë se punohet gjatë fundjavës gjatë natës ku ka ma shumë përgjegjësi janë disa përqindje të lehta në pagë”, tha Abazi për Insajderin.
Tutje, psikiatri kosovar tregoni se në Zvicër ekzekutohet edhe paga e 13-të, ku me një pagë mujore prej 9 mijë franga paga vjetore arrin në 106 mijë franga.
Ndërsa, kur një mjekë ngrihet në detyrë dhe merr pagë mujore nga 13 deri në 18 mijë franga, paga e tij vjetore arrin shifrën 142-153 mijë franga.
“Së bashku me rrogën nga 13 rroga, paga vjetore arrin 106 mije franga në vit me një rrogë mujore prej 9 mijë franga ndërsa. Kur merr pozitën shef reparti kalon në kategorinë 6-5 dhe paga arrin nga 13 mijë franga deri në 15 mijë franga e që mund të arrij edhe në 18 mijë mijë euro kurse paga vjetore arrin shifrën 142 mijë deri në 153 mijë franga”, tha me tej Abazi.
Secilën herë që mjeku arrin në pozitë më të lartë si drejtor i klinikës paga shkon gjithnjë më lartë, thotë Abazi. Rroga më e lartë në kantoni e Basellandit ku jeton dhe vepron mjeku Abazi është kategoria ku paga vjetore shkon në 264,000 franga.
I pyetur nëse do të kthehej në Kosovë për të punuar me kushtet e njëjta të një mjeku kosovar, Abazi tha se nuk beson se dikush e lë pagën mujore të shtetit Zvicrën për të punuar në Kosovës me një pagë 600 apo edhe 2000 euro.
“Nuk mendja që dikush e lë pagën mujore të Zvicrës për tu kthyer në Kosovës për një rrogë mujore 600 euro apo edhe 2000 euro”, tha me tej Abazi.
Të njëjtin mendim sikurse Abazi e ndan edhe mjeku kosovar që vepron në Suedi, Refet Nura. Ai i tha Gazetën Insajderi, nëse i japin edhe pagën që ka në spitalin suedez nuk do të kthehej për të punuar në shëndetësinë kosovare.
Në përgjigjen e tij, Nura thotë se fyerjet dhe përbuzjet që po i bëhen kolegëve të tij nga pushteti në Kosovë, kanë bërë atë jo optimist që të marrë rrugën drejt vendlindjes për të ushtruar profesionit të tij.
Profesionin e tij si internist dhe mjek i përgjithshëm, Nura do ta zhvillonte në Kosovë vetëm në ndonjë rast vullnetarizmi edhe atë pa pagesë.
“Mendoj se mund të kthehem të punojë përkohësisht vetëm në mënyrë vullnetar, papagesë. Rrethanat dhe kushtet në të cilat kolegët tanë punojnë, pa legjislaturë korrekte, të fyer dhe përbuzur nga pushteti, pa institucione të përgjegjësisë ku mjeku duhet të japin përgjigje për punën që bëjnë dhe atë që nuk e bëjnë, mbingarkimi pa limit me pacientë të kategorive të ndryshme, jo triazhuar më bëjnë jo optimist dhe jo bindës për të u kthyer coftë edhe me të njëjtën pagë që kam”, tha Nura për Insajderin.
Paga e një mjeku të posa diplomuar në shtetin nordik është rreth 4500 euro kurse kur mjeku është në fazën e specializimit merr pagën 5000 euro, thotë Nura.
Ndërsa, kur përfundon specializimin dhe merr titullin e specialistit paga bruto arrin nga 8000 deri në 9000 euro në muaj.
“Një i posa diplomuar merr pagë bruto pa tatim rreth 4500 euro kurse specializantët ( që janë duke specializuar) marrin rreth 5000 euro. Specialistët kanë pagë bruto nga 8-9000 euro. Pastaj, hiqet tatimi prej 35 -58 % varësisht nga niveli i pagës. Sa më e lartë paga aq me i lartë tatimi”, tha Nura për Insajderin.
Kujdestarit në spitalin e Suedisë, radhiten sipas orarit që në mjekë bën kujdestari. Sipas Nurës, nëse je kujdesart nga ora 17:00-21:00 paguhesh sa një orë e rregullt e punës.
Në rast se kujdestarin e mbanë nga ora 21:00-00:00 mjeku paguhet 1.5 të orës së rregullt, prej 00: 00-07:00 të mëngjesit paguhet sa dy orë pune.
Në rast se një mjekë kujdestaron nga dita e premten në orë 17:00 e deri të hënë në ora 08:00 për çdo orë punë merr dyfish. Sipas Nurës, përjashtim bënë festat ku një mjekë paguhet trefish për çdo orë pune.
“Sa i përket kujdestarisë llogariten varësisht se kur je kujdestar. Prej orës 17:00 kur fillon kujdestaria deri në orën 21:00 një mjek paguhet sa një orë e rregullt pune. Prej orës 21:00-00:00 paguhet 1.5 e orës së rregullt. Prej orës 00:00-07:00 në mëngjes paguhet sa dy orë pune. Përderisa të premten prej orës 17;00 e deri të hënën në ora 08;00 për çdo orë pune merr dyfishin. Përjashtim bëjnë festat si kërshëndellat, pashkët, Viti i Ri e disa ditë tjera, ku një mjekë paguhet trefish pra për çdo orë pune paguhet sa tre orë pune” tha Nura për Insajderin.
Një mjekë kosovar (emër i njohur për redaksinë) që punon në shtetin e Italisë, ka thënë se një mjek i sapodiplomuar merr pagë 2200 euro ndërsa mjeku specialistë 2700 euro.
Sipas tij, paga më e lartë shkon për kategorinë e shefit të repartit të njohur si primarius, ata marrin pagë deri në 5000 euro, për muaj.
Vendi kryesor evropian i shumicës se mjekëve kosovare për të ushtruar profesionin e tyre është shteti i Gjermanisë.
Sipas të dhënave, paga bruto e një specializanti në Gjermani fillon nga 4500 euro me rritje vjetore deri në 6100 euro kurse kryemjeku fillon nga 6100 euro me rritje çdo 3 vjet deri në 8000 euro.
Udhëheqësi i reparti fillon nga 7700 euro me rritje çdo 3 vjet që deri në 9000 euro, zëvendësshef fillon nga 9100 euro me një rritje pas 3 viteve që shkon në 9800 euro.
Mjekët e specializuar në Gjermani marrin mesatarisht 90.000 euro në vit, shefi i mjekësisë arrin në 115.000 euro page vjetore dhe kryemjekët paguhen mesatarisht 120.000 euro në vit.
Por, sa paguhet mjeku në Kosovë?
Sipas të dhënave, paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro ndonëse rritjet e tyre shkojnë në baze të pozitave.
Një mjek specialiste merr page mujore 812 euro ndërsa mjeku specialist i mjekësisë familjare merr paguhet 672 euro.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar merr page mujore nga 1.216 euro./GazetaInsajderi/