
Oligarkët, kartelet e korrupsionit, krimi i organizuar dhe pastrimit të parave, kanë kapur në çdo qelizë prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm. Klientët e qeverisë, mashtrimit, vjedhjes dhe evazionit fiskal, jo vetëm kontrollojnë prokurorinë, por sot komandojnë prokuroritë, me përjashtim të SPAK-ut, pastrojnë paratë e pista të prokurorëve dhe i urdhërojnë se si të procedojnë me dosjet.
Një nga shembujt më ilustrues të këtij realiteti të zi është edhe mbyllja e dosjes së bosit të karburanteve Paulin Gega, i kapur në flagrancë nga policia dhe tatimet duke kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme, duke pastruar para, fshehje të ardhurash etj.
Nëse SPAK ka vullnet vërtetë që të luftojë korrupsionin, në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese, të verifikojë se si janë mbyllur në Prokurorinë e Tiranës dhe prokuroritë e rretheve, dosjet bujshme të evazionit fiskal, mashtrimit me pasoja të rënda, lojërave të fatit, aferave me tendera, pasurive të paluajtshme etj., me protagonistë gjithnjë oligarkë, bosë të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve.
Burime serioze konfirmojnë se për mbylljen e vetëm një dosje të tillë hidhen 200-300 mijë euro. Kjo është edhe arsyeja se pse disa prokurorë dhe gjyqtarë nuk dinë se si t’i justifikojnë pasuritë e deklaruara, ku sajojnë lloji-lloji alibish banale.
Tre vite më parë, Policia e Shtetit dhe organet tatimore zhvilluan një aksion të bujshëm, duke bllokuar për evazion fiskal kompaninë e karburanteve “Gega Oil”, ndërsa u shpall në kërkim bosi i saj, Paulin Gega, i cili u largua për disa javë jashtë shtetit, duke shijuar pushime luksoze.
Dosja e vjedhjes së shtetit dhe shqiptarëve kishte fakte të rënda dhe flagrante. Prokuroria e Tiranës nxori një urdhër ndalimi për Paulin Gegën për veprat disa penale, si; “Fshehja e të ardhurave”, “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Pas këtij aksioni dhe veprimi të prokurorisë, nis një histori e re korrupsioni. Fillimisht u zhbë në mënyrë të paligjshme dhe korruptive urdhri për shpalljen në kërkim policor të Paulin Gegë. Më pas, nisi të sfumohej dosja penale. U rrëzuan rrugës të gjitha akuzat e ngritura ndaj Paulin Gegës dhe në fund i gjithë aksioni dhe hetimi, u zerua. Paulin Gega vijoi të njëjtin avaz pa i hyrë gjemb në këmbë. Besohet dhe dyshohet se për të mbyllur dosjen, Gega ka hedhur mbi 500 mijë euro nga paratë që u ka vjedhur shqiptarëve.
Po kush janë prokurorët dhe gjyqtarët që kanë mbyllur dosjen e Paulin Gegës?
Çfarë pasurish kanë?
Sa para kanë marrë secili?
Si e kanë ‘argumentuar’ mbylljen e dosjes?
Dhe a do të zgjohet më në fund SPAK-u?