×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Kush e vrau Kosovaren?

Insajderi
11 April 2023 - 14:27
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Ishte fillimi i dhjetorit i vitit 2010 kur rrugës për në Mitrovicë kishte ndodhur një aksident. Gjithçka dukej e zakonshme – një veturë godet një shenjë komunikacioni. Shoferi shpëton i gjallë. Pasagjerja në anën e djathtë të veturës vdes. Kështu edhe ishte hapur rasti i parë për vdekjen e Kosovare Kurtajt, një shtetase e Kosovës që po jetonte në Francë dhe kishte ardhur për pushime në atdhe.

Visar Duriqi/Donjeta Islami

Autopsia do të bëhej. Trupi i saj pastaj u varros, ani pse qysh në raportin e parë të autopsisë do të ngiteshin shumë pyetje për mënyrën se si vdiq Kosovare Kurtaj. Në procesin e autopsisë do të mungonin policët, ani pse ishin urdhëruar nga Gjykata që të prezantonin. Do të mungonin edhe kolegët e tyre nga trafiku.

Nënës së saj, që ka dhënë një intervistë ekskluzive për InDoks, madje i ishte thënë që edhe rituali i larjes së xhenazes ishte kryer po në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Kosovare Kurtaj do të varrosej shumë shpejt pasi përfundoi autopsia. Shumë shpejt pasi ndodhi aksidenti. Dhe këtë shpejtësi, sot e sheh si shumë të dyshimtë nëna e saj që ka mbi një dekadë që po e kërkon një përgjigje: Kush e vrau Kosovaren? A u vra vërtetë nga aksidenti? A ishte vrarë me herët dhe aksidenti u inskenua? Një hetim për këtë dyshim ka nisur tash e tetë vite – por pa rezultat. Tri prokurore, gra, janë ndërruar, por pa rezultat.

InDoks iu kthye edhe një herë këtij rasti. Me intervista ekskluzive dhe dokumente të pa publikuara me parë.

Unë kam qenë në shtëpi. Më ka thirrur në telefon Arsim Ferizi, bashkëjetuesi i vajzës sime, që ka bashkëjetuar 13 vite, dhe më ka thënë se duheni me ardhë se ka bë ndeshje në komunikacion në Milloshevë, të cilat fjalë unë nuk i besoj se nuk është e vërtetë”.

Kështu e nis rrëfimin e saj Bedrije Kurtaj, nëna e Kosovare Kurtajt. Një shtetase e Kosovës, por që po jetonte në Francë derisa vdiq në Kosovë, në dhjetorin e vitit 2010.

Rasti i vdekjes së Kosovares ishte regjistruar në fillim si vdekje në aksident. Pesë vite pastaj, do të rihapej si hetim për vrasje. Bedrija, nëna e saj që ka vite që nuk vjen në Kosovë, e frikësuar nga kërcënimi që mori në vitin 2014, është e bindur që vajza e saj fillimisht ishte dhunuar seksualisht, ishte vrarë dhe pastaj u inskenua aksidenti.

Unë nuk jam kanë atje. Kam ardhë të nesërmen kur ka ndodhë aksidenti. Vajza ka shkuar të mërkurën e ka qit këtu në aeroport me gjithë motrën e vet e cila ka ardhë këtu. Vajza ka bashkëjetuar me Arsim Ferizin“.

Zonja Bedrije rrëfen se ka qenë me hapa, se nuk ishte e plotësisht kur ceremoninë e varrimit ia la në dorë të dashurit të vajzës.

Vendimin këtu (për varrim), unë tash sinqerisht kam qenë shumë keq në atë gjendje  gjithkush mundet me të çu kah të dojë më ba çka të donë më juve. Ka ardhë kunati prej Austrie tha se duhet me marrë hoxhenicën, ka qenë prezentë tek shpija e burrit, du me pru hoxhenicën me pastru vajzën qysh e kem traditë edhe Arsim Ferizi ka ndërhy tha se unë ia kam paguar hoxhenicën e kanë çu me çarçaf të pështillet tek ky në morg“, ka thënë ajo në InDoks të Gazetës Insajderi.

Kur kam bo pyetje pastaj, s’është e vërtetë nuk ka pasur hoxhonicë në morg”.

“…kur e kanë bë zhvarrimin 2015 që ka ardhur vendimi nga prokurorja Bojaxhiu, e kanë bë një analizë e krejt, pasi jam kërcënuar unë, kur iu ka bë një analizë e dytë ka dalë se mua më kanë gënjyer 5 mjekë.

“Ata thonin ia ka shkel goma e kerrit kokën edhe iu ka nda kafka po sipas mendimit tim edhe ekspertëve në Francë, se unë kam kërkua këtu edhe nëse i ka hipur goma mbi kokë, nëse ka qenë dheu i butë nuk ka shansa me iu thy kafka, ajo është gënjeshtër e tyre, që këta janë tu e mbulu rastin e vajzës. Ajo është krim”, ka thënë ajo.

Intervista me nënën e Kosovare Kurtajt ishte realizuar nga kushtet që ajo mund të ofronte nga Franca. Por, për shkak që ende beson që nuk ka marrë drejtësi, ajo e kishte tepër të vështirë që të fokusohej në një temë. Për këtë InDoks ka intervistuar avokatin që ajo ka angazhuar në Kosovë.

Ramë Dreshaj, një avokat me përvojë, me këtë rast merret që nga viti 2012. Tri vite ishin dashur punë vetëm që ta bindte shtetin që ta zhvarroste trupin e Kosovare Kurtajt për një super-ekspertizë.

Por, në këtë intervistë dhënë për InDoks ai tregohet shumë i zhgënjyer me Prokurorinë e Prishtinës, e për të cilën në këtë rast thotë që vetëm neglizhencë nuk ka, por dyshon për diçka më të keqe se kaq.

Avokati, për këtë rast që ishte hapur krejt në fillim si vdekje në aksident, thotë që iu desh shumë punë që të bindej Prokuroria që të paktën të dëgjohej zëri i familjes se Kosovare Kurtaj mund të ishte vrarë fillimisht, e pastaj inskenuar aksidenti. Zbulon se Prokurorisë nuk i kishte pëlqyer fare që avokati po donte që rastin ta bënte publik.

Avokati, Ramë Dreshaj

“Në 2015-ën është bë zhvarrosja e të ndjerës ku prezentë kam qenë unë, prokurorja e çështjes ka qenë edhe një mjet i informimit edhe pse prokuroria ka qenë shumë nervoze pse është kanë. Mirëpo, unë i kam thënë atëherë prokurores i kam thënë të lutem, mjetet e informimit nuk duhet të pengojnë kurgjo sepse edhe zhvarrosja edhe veprimet hetimore duhet të jenë transparente edhe për opinion të dihet a po punohet ose jo, ndriçimin e çështjeve shumë delikatesh sikur që është rasti i kësaj që pas vjete po i bjen po zhvarroset me dyshime se është vra nga dora e njeriut jo nga aksidenti qysh është përshkru”, tha avokati i familjes Kurtaj.

Një agrumet tjetër që e përmend avokati ka të bëjë me gjurmën e gjakut.

Tek pika e gjakut është shumë interesant, gjendet shumë larg vetura është fari njëri anën dhe është një pikë e gjakut. Tash eksperti e ka skicu, pikën e gjakut e ka precizu dhe merret me atë pikë të gjakut merret vetëm në anën formale, mirëpo asnjë raport tjetër – se kush merret me vepra penale që janë kundër jetës dhe trupit, por edhe kur humbet jeta, ta marrim edhe këtë anën tjetër të komunikacionit me fatalitet, si të shihet gjaku, ai duhet patjetër të fiksohet të merret edhe të bëhen analizat dhe të konstatohet se i kujt është. Këtu nuk ka kurrfarë raporti se i kujt është. Ska raport, prokuroria nashta e ka për vetë por pala e dëmtuar nuk ka raport”, thekson Dreshaj.

Nëna e Kosovare Kurtajt në intervistën dhënë për InDoks, ka përmendur edhe me emër së kush janë të përfshirë në këtë rast.

InDoks ka tentuar për disa janë që të marrë një koment nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për këtë rast dhe atë se si u bë që për tetë vite të mos gjendet se kush e kërcënoi nënë e viktimës një vit para se të zhvarrosje Kosovare Kurtaj, se sa dëshmitarë e të dyshuar janë intervistuar. Se ndaj kujt aktualisht po zhvillohen hetime si të dyshuar për këtë rast për vrasje, por ëpr asnjërën nga këto pyetje dhe të tjera, nuk ka pranuar madje as përgjigje me shkrim.

Nëna e Kosovares, Bedrije Kurtaj

“Vajza e ka njoftuar Ervinin Zejnelin (shoferi që kinste ka qenë në makinë me Kosovaren) në bazë të Albana Zhubit edhe të Arbreshës, se Ervin e ka pasur kafiqin tek rruga aty se kam shkuar për ta me vizituar kur ka vdekur vajza. Ku kanë biseduar në atë kafiq prej tij veç rruga i ka ndarë, edhe kanë shkuar me pi kafe edhe gjoja paskan dashtë me i çu do gota me një kësi. Një vend ku e paska pasur ky Arsim Ferizi me lojëra të fatit, filxhana a çka po di unë – qysh më kanë thënë“, tha Kurtaj.

“Albanën (shoqja e Kosovares) e ka njoftë se ka ndejt non-stop tek Arbëresha tek vajza jem e madhja dhe tek Arsim Ferizi.  As  fejuar, as  martuar nuk kanë qenë kurrë me, veç kanë bashkëjetuar. Ky e ka marrë vajzën pa izën time”.

Zonja Bedrije ka përmendur se si organet e rendtit e kanë shpërfillur rastin e saj.

“Kurrë nuk m’ka thirrë Prokuroria. Prokuroria e Kosovës krejt i ka me telefona me e-maila, me adresa, po kurrë nuk më ka thirrë“.

Për neglizhencën e treguar ajo hedh dyshimet se edhe trupit gjykues mund të jetë kërcënuar.

Shumë janë ndërruar (prokurorë) , së pari kur e kanë fillua ka qenë Aleksander Lumezi i Krimeve të Randa, ka fillu rastin, pastaj ka qenë … pastaj ka qenë Naime Jashanica, pastaj ka qenë Shemsije Avdyli edhe tash e fundit ka qenë Jaorka. Asnjëra nuk e ka përfundua lëndën, me ditë se çka ka ndodhur me vajzën. Për mendim tim këta janë të kërcënuar ose të korruptuar. Po veç, ma përpara janë të kërcënuar”.

Për këtë rast, në fillim, si shkaktar i aksidentit ku vdiq Kosovare Kurtaj ishte akuzuar Ervin Zejneli nga Mitrovica. Gjykimi për këtë rast është pezulluar pasi që hetimi për rastin e njëjt tashmë është hapur si vrasje.

InDoks ka tentuar që të marr prononcim nga Ervin Zejneli, por ky i fundit ka thënë që për këtë rast flet vetëm në gjykatë.

Pak para se të zhvarrosje trupi i Kosovare Kurtajt, nëna e saj në Francë kishte marrë një mesazh kërcënues. E kishte denoncuar në Francë. Por, si dokument tash e ka edhe Prokuroria në Prishtinë. InDoks e ka pyetur Prokurorinë që së paku a kanë kërkuar ndonjëherë që të gjendet se kush ishte pronari, ose pronarja e këtij numri në kohën kur u bë kërcënimi, por as për këtë nuk ka marrë përgjigje.

“Edhe prokurorja vet i ka pa kërcënimet me mesazh ndaj meje dhe dëshmitarit. E kam thirre, mua më është lajmërua një grua, kur më është bë kërcenim unë rregullisht e kam thirrë prej kabinave këtu edhe ai numër nuk u çel. Tash vonë, 2022-ën kur e kam thirrë atë numër është lajmëru një plakë“, ka thënë Bedrije Kurtaj.

InDoks ka kontaktuar tash së fundi me po të njëjtin numër nga ku ka shkuar kërcënimi në adresën e nënës së Kosovare Kurtajt. Personi që e mban tash atë ka thënë që e ka blerë në vitin 2019 dhe nuk e di se kush e ka pasur më parë.

Pavarësisht kërcënimit, zonja Bedirje po vazhdon të kërkojë drejtësi për vajzën e saj të ndjerë.

…Unë nuk kam kërcënua kërkon, unë e lypi të drejtën teme. Tash mu më kanë ardhur kërcënimet, po unë e vazhdoj këtë punën me zbardh këtë vrasje. … Ki kujdes kur të shkojsh në Francë mos e le këtë punë thuhej në mesazh…”.

Avokati i familjes në këtë rast, Ramë Dreshaj ka treguar për InDoks se si rrodhi situata me vetë kërcënimin që iu bë nënës së Kosovare Kurtajt derisa po bëheshin procedurat gati për ta zhvarrosur.

Se si në këtë rast u implikuar EULEX-i e si u implikua Prokuroria vendore. Si u bë që fill pasi u shkëmbyen dosjet mes EULEX dhe Prokurorisë kosovare ndaj dëshmitarit kyç të këtij rasti shteti i Kosovës kishte kërkuar ekstradim të tij në Kosovë.

“…Ata nuk e kanë kërcënuar në atë kuptimin drejtpërdrejt se po e zhvarroset, a diçka por që po hetohet, mirëpo pala e dëmtuar përmes meje ia kemi dorëzu një shkresë, komplet dosjen prokurorisë së EULEX-it atëkohë edhe në atë shkresë të cilën e kam dorëzuar unë, qe ku e kam ia kam tërheq vërejtjen që vetëm kryeprokurorja dhe prokurorja të cilën e angazhon nëse donë më i hy kësaj punë , çka bën ajo Jurosllava kryeprokurori që ka qenë atëherë, ia dërgon laurën prokurorit të shtetit edhe Prokuroria e Shteti në atëkohë pasi që e ka marrë Prokuroria e Shtetit faktikisht e lidhi unë qashtu, familja e dëmtuar që menjëherë Kosova kanë kërkuar ekstradimin e atij dëshmitarit që dmth ekziston një dëshmitar”, deklaroi avokati.

Shteti i Kosovës dështoi që ta ekstradonte dëshmitarin kyç të këtij rasti. Ai mori azil në Francë. Por, ende mbetet e pasqaruar se pse fill pasi që ai deklaroi se e dinte se kush e ka vrarë dhe pastaj inskenuar si aksident, u kërkua ekstradimi i tij.

InDoks ka siguruar dëshminë fillestare të tij, por pasi që në Prokurorinë Themelore në Prishtinë as nuk kanë pranuar që të japin intervistë e as të përgjigjen me shkrim, nuk sqarohet se pse u kërkua ekstradimi i tij, në lidhje me rastin e Kosovare Kurtajt, apo kërkohej për ndonjë rast tjetër.

Fill pasi kishte dhënë dëshminë e tij, vet dëshmitari dyshohet se ishte përndjekur madje edhe në Francë. InDoks ka siguruar edhe fotografitë e personave, që sipas dëshmitarit e kishin përcjellë në adresën ku ai banonte atë kohë, por pasi që Prokuroria nuk ka pranuar të komentoi mbi këtë rast, që të konfirmoi ose mohoi se janë duke u ndjekur penalisht të njëjtit, nuk do ti shfaq pamjet e tyre.

“Qatij dëshmitarit, në bazë të provave që mi ka dhënë nëna e të ndjerës, Kosovare në bazë të asaj janë 5 dëshmitarë këtu të  cilët jetuar në një ndërtesë në Francë dhe i kanë shkuar disa persona, këtu thotë e kanë lyp, edhe dëshmitarin e kanë lyp me 5 persona“, ka thënë avokati Dreshaj.

Vajza nuk ka vdekur në aksident. Edhe kur e kanë pyetur një koleg kush e ka vra, ata aty ku u kanë. Atë fjalë ai zotëria (dëshmitari) ma ka thënë. Ata aty ku u kanë më thanë ‘ta kanë vra vajzën’. Edhe thotë që me ndihmën e Albana Zhubit, çikën e Reshat Zhubit është ra në kurth, se mesazhet janë që Albana Zhubi i ka shkruar“, ka thënë nëna e Kosovares.

Deri tash dihet që Kosovare Kurtaj vdiq në fillim të dhjetorit të vitit 2010. Rasti në fillim u hapë si vdekje në aksident, derisa shoferi i veturës së aksidentuar, Ervin Zejneli ishte akuzuar po për shkaktim të vdekjes në aksident. Ky rast përkohësisht është pezulluar, pasi që në vitin 2015 rasti hapet si dyshim për vrasje, pas zhvarrosjes se trupit të Kosovare Kurtajt.

Që nga 2015-ta janë ndërruar tre prokurorë në këtë rast, dhe të gjitha ishin gra. Edhe prokurorja aktuale e këtij rasti është një grua. Familja dhe avokati i rastit shprehin dyshime të thella se pse në këtë rast, sipas tyre është punuar shumë pak: Nuk është zbuluar se kush ishte pronari i numrit që e bëri kërcënimin. U kërkua ekstradimi i dëshmitarit kyç, fill pasi që ai kishte pranuar se e dinte se kush e ka vrarë viktimën.

E, autopsia pastaj, edhe sipas një super ekspertizë të bërë në Shqipëri nxjerr më shumë pyetje se sa përgjigje: Si u bë që viktima dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore pa rroba? Si u bë që rrobat e saj më nuk gjinden askund? Si u bë që ishte e shtypur në kokë, ndoshta nga goma e veturës, derisa ajo u gjen brenda në veturë? Si u bë që merrte aq shumë lëndime në trup e kokë, deri edhe në vdekje, derisa shoferi i veturës shpëton i gjallë? Pse nuk u hetuan njollat e gjakut që ishin gjendur shumë larg veturës? Dhe shumë pyetje të tjera, për të cilat mbrojtja e familjes dhe vet familja nuk kanë marrë ende përgjigje nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“…Pikëpyetje shumë e madhe është, një ndër faktorët, provat më të rëndësishme faktikisht nuk ekzistojnë. Ska hiç, as raport qysh është gjetë a është gjetë në veturë, a është gjetë mbi qat zallë që po thonë këta mbi rërë, qysh është gjetë – le ta shpjegon prokuroria në bazë të eksperti…le ti thërret edhe 5 ekspertët që janë marrë pas zhvarrosjes, t’i thërret, t’ia shpjegojnë familjes se si ia paska shkel kryet rrota. A ke pasagjere, këtu thuhet ka humbur jetën si pasagjere kah thotë e ka shkel si me kanë këmbësore. Nëse ka qenë këmbësore, le të thonë e ka shkel në vija të bardha, edhe 5 mjekëve ligjorë le të iu mbetet në ndërgjegjen e tyre, të 5-ve, ata dmth nuk janë marre fare as me ekspertizën e parë, as me raportet me pa çka, por veç i kanë thënë qysh me mshel këtë situatë, kanë thënë ia ka shkel rrota kryet“, tha avokati për InDoks.

Nëna e Kosovares ka shpjeguar se si asaj nuk iu dha asgjë e vajzës, që vet kishte vrapuar nëpër gjykata e prokurori për të siguruar çantën e Kosovares.

“Unë vet kam kërkuar se as Policia as Prokuroria kur jam shku në Prokurori e kam kërkua çantën, tek një prokuror se po ia harrojë emrin, se është e cekur krejt në dokumente, tha na nuk kemi mujt me ia ruajt çantën vajzës tënde. Kur jam shku tek komandanti i KFOR-it më ka thënë, ka qenë aty kur ka ndodhë ndeshja kanë thënë s’kanë vonuar shumë 5-10 minuta kanë ardhur KFOR-it italian që janë kanë në Kosovë”.

Sipas saj vajza kishte vdekur para se policia të arrinte në vendin e ngjarjes.

Edhe unë kam shku, ai zotëria më ka thënë që çantën ia kanë dhënë ambulantes për të cilin më ka treguar ajo vajza (infermierja) – vet jam shku e kam marrë çantën kur e kam pyet këtë komandimit e KFOR-it, më ka thënë më vjen shumë keq çka ka ndodhur. Kur kanë shkuar policia kanë shku para tij 15 minuta tek vendi edhe e kanë prek vajzën edhe më ka thënë kur ia kam prek pulsin vajza nuk ka pasur puls. Vajza ka vdek përpara…“.

Kosovarja në Emergjencë kishte arritur pa shenja jeta sipas asaj që i është thënë nënës së saj.

Njeriu i KFOR-it më ka thënë edhe kur jam shku unë se unë kam lëviz 5 javë, jam shku në Emergjencë ku e kanë dërguar vajzën , mu më ka thënë mjeku të cilit ia di emrin vajza ka ardhë pa shenja jete, ka qenë edhe një mjek tjetër prezent, nuk mundet me mohu. Ka qenë pa shenja jete në spital”.

Ndërkohë, avokati, Ramë Dreshaj nuk po arrinë të kuptojë se si prokuroria nuk po arrinë të gjejë se kush qëndron prapa mesazhit kërcënues.

Sipas tij prokuroria jo që po e neglizhon rastin, por edhe më keq. Përmend faktin që zonja Bedrije nuk guxon të vije në Kosovë.

“Jo jo, neglizhenca është diçka tjetër, neglizhenca nuk ka të bëjë fare që mundet me ndiku në ndonjë faktor tjetër por qe Ramë Dreshaj është neglizhente, hajt te la nesër, hajt nesër, hajt nesër. A drejt më të thënë, nëse kishte deshtë prokuroria të jetë në nivel të detyrës atëherë, sidomos prej kur ia kam dorëzu në emër të familjes mesazhin kërcënues me përmbajtje që skam të rëndë, që sot nuk guxon nëna e vet nuk me ardhë në Kosovë edhe organet e Francës e dinë që është e kërcënume, se prej policisë e ka nxjerr këtë mesazh, nuk e ka nxjerr vet se është i vërtetu“, tha avokati për InDoks.

Ndërkaq zonja Bedrije shprehet se iu është thënë se “personi që qëndron prapa rastit të vajzës është i paprekshëm prandaj ti s’po mundesh me zbulu”.

Dyshime ajo hedh edhe ndaj ish-bashkëjetuesit të vajzës

“Ky ish-bashkëjetuesi i vajzës ky do sene ky i ka bë të pahijshme”.

Kosovare Kurtaj vdiq në fillim të dhjetorit të vitit 2010. As pas 13 vitesh Prokuroria nuk ka një vendim definitiv se si ndodhi krejt ngjarja. Familja pretendon se ajo u dhunua seksualisht, u vra pastaj, dhe u inskenua një aksident. Që nga viti 2015 Prokuroria po heton në pistën e dyshimit për vrasje të saj. Por edhe pas 13 vitesh një pyetje esenciale ka mbetur pa përgjigje: Kush e vrau Kosovaren? Vdiq në aksident, apo u vra dhe pastaj u inskenua aksidenti?

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark