Haki Abazi tha sot se Dejona Mihali është njeriu kryesor që kontrollon grupin parlamentar të Vetëvendosjes dhe vendimet që merren në këtë parti, shkruan Insajderi.
Por, kush është zonja Mihali?
Ani pse Dejona Mihali është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, në web-faqen zyrtare të kësaj partie nuk gjendet biografia e saj, për dallim nga zyrtarët tjerë të VV’së. Si informacion për publikun është dhënë vetëm pozita e saj si ‘Koordinatore e Komiteteve‘.
Për Dejona Mihalin dihet shumë pak. Ajo ka shmangur daljen para kamerave dhe angazhimin publik në Kosovë.
Ishte vera e vitit 2016, kur Policia e Kosovës ndaloi Dejona Mihalin të hynte në Kosovë. Ajo ishte ndaluar në pikën kufitare në Morinë, dhe nuk ishte lejuar që të futej brenda territorit të Kosovës.
Mihali nuk ishte parë në asnjë aktivitet publik në Kosovë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk kishte marrë ndonjë funksion publik gjatë Qeverisë Kurti I apo Qeverisë Kurti II.
Dejona Mihali nuk kishte qenë në mesin e kandidatëve për deputetë të kësaj partie politike për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri. Ajo nuk ka garuar asnjëherë për asnjë funksion publik as në Republikën e Kosovës, për dallim nga kolegët Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha.
Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, para pesë muajve i kishte kërcënuar edhe grevistët e arsimit parauniveristarë me pasoja të mëdha.
Në media ishte raportuar se Mihali ka qenë njeriu më i pushtetshëm në grupin prej 7 personave, ku përveç saj përbëhej nga Boiken Abazi, Nazlie Bala, Xhelal Sveçla, Ismajl Kurteshi, Fatmire Kollqaku, Elvis Hoxha.
Shtatë anëtarë të kryesisë së asaj kohe në Vetëvendosje kishin kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme, pas një fyerje të raportuar nga Aida Dërguti drejtuar liderit Albin Kurti.
Po ashtu, është raportuar se Mihali këmbënguli për rivendosjen e Kurtit si kryetar të partisë duke e quajtur jodemokratike kërkesën e grupit që po largohej që ai të mos kandidonte për kryetar.
Nuk dihet saktësisht, por në media është raportuar se Mihali është 42 vjeçare e lindur në Tiranë. Ajo ka studiuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamentin Filozofi-Sociologji.
Sot në një konferencë për media, Abazi tha se Dejona Mihali është njeriu kryesor që kontrollon grupin parlamentar të Vetëvendosjes dhe vendimet që merren në parti, ani pse nuk ka qenë pjesë e listës së votimeve.
“Zonja Mihaili nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme për zgjedhjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por, është njeriu kryesor që kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarrjet që bëhen aty”, u shpreh Abazi.