×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kush i humbi në të vërtetë Zgjedhjet Lokale?

    Insajderi
    17 November 2021 - 14:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Jetlir Buja

    Zgjedhjet Lokale përfunduan. Unë nuk dua të merrem me atë se kush fitoi e kush humbi, sepse përditë e më shumë po kuptojmë se matanë metodave organizative, logove e strategjive të reklamave (PR), partitë tona nuk dallojnë përmbajtësisht prej njëra-tjetrës. Por, çka na mësuan këto zgjedhje?

    Është e qartë se partia e Albin Kurtit i humbi dyqind e kusur mijë vota. Por, kjo ishte e shkruar të ndodhte. Tash e dhjetë vjet, bash Albin Kurti ka promovuar një raport tepër të cekët, meskin e të pandërmjetësuar mes tij dhe qytetarëve. Ai me subjektin e tij politik, ku secili anëtar është më profil i rremë se tjetri, i ka shtrënguar qytetarët që të bëjnë gjykime tepër arbitrare e bile edhe fashiste për politikanët: pamja, e folura, theksi dhe një strukturim i pranueshëm fjalësh.

    Kjo e dënoi kandidatin e tij për Mitrovicën, Agim Bahtirin, i cili ishte viktimë e një antifushate absolutisht të tmerrshme primitive që i bënte një gjykim tmerrues sipërfaqësor duke e lënë krejtësisht në hije gjykimin e qeverisjes së tij për tetë vjet me komunën në fjalë. Askush nuk e mori vesh se çfarë kryetari kishte qenë për tetë vjet Bahtiri, por të gjithë u ngutën ta përshkruajnë si “analfabet”.

    Bash për shkak të këtij formati gjykimi, u ofrua një kandidat tmerrësisht i dobët si Arben Vitia për kryetar të Prishtinës. Në kohë pandemie, u desh që ai të jepte dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë. Dhe kjo ministri, të funksiononte pa ministër shëndetësie për një muaj e gjysmë, në kohën kur mutacionet e reja të Covidit mund të shkaktojnë valë të re infektimesh e vdekjesh. Arben Vitia kishte nam të mirë, kishte një të folur mjaft serioze, zë të pranueshëm dhe e kishte adoptuar mjaft mirë strukturën standarde të fjalive të Albinit. Por, nuk e kishte asnjë ide dhe prandaj humbi ndaj një kandidati si Përparim Rama, për të cilin nuk ia kemi idenë se kush është politikisht e as se çka do të bëj.

    Desubjektivimi i kandidatëve

    Por, kjo hile tashmë është kuptuar nga partitë e vjetra. Edhe ato – në pamundësi për t’u reformuar tamam – po i nënshtrohen atij raporti meskin e sipërfaqësor me qytetarin që prodhon gjykime tmerrësisht të papranueshme. Ata ofruan ‘kandidatë të mirë’, u tha madje edhe nga disa mbështetës të Albin Kurtit. Por në fakt, këta kandidatë s’ishin gjë tjetër veçse disa njerëz që do të dilnin mirë në shoshitjen e gjykimeve banale të popullit.

    Përkundër milionave që marrin partitë tona politike nga buxheti i Kosovës për çdo vit, nuk u ofrua asnjë ide serioze që do ta zgjeronte paksa këtë raport sipërfaqësor parti/qytetar. Në anën tjetër, në Kamenicë ku kryetari i deritashëm po shtynte përpara reformën në arsim, triumfoi rezistenca ndaj kësaj reforme.

    Siç mund të keni dëgjuar, ShBA po organizon për herë të parë një event të quajtur “Samiti për Demokraci”. Kjo vjen pas ngjarjeve të hidhëta që e cenuan seriozisht vet ekzistencën e demokracisë në ShBA, dhe të lëkundjeve të vazhdueshme të demokracive tjera të zhvilluara perëndimore nga populizmi. Merreni me mend tash, se sa e brishtë është Kosova ndaj fenomeneve të caktuara anti-demokratike.

    Edhe në Kosovë këto Zgjedhje Lokale na e dëshmuan një prapakthim në procesin tonë të brendshëm të konsolidimit të demokracisë. Në një anë, kishim mungesë alarmuese idesh zhvillimore dhe në tjetrën luftë të parreshtur mes profileve të rrejshme në Facebook.

    Nëse përpara kishim kandidatë më ‘skandalozë’, tashmë kemi kandidatë që janë thjesht disa trupa të nënshtruar ndaj masës analfabete që s’di as se çka kërkon, dhe të nënshtruar ndaj liderëve të tyre respektivë. “Skandalozja” e dikurshme, ka të ngjarë se qëndronte jo në atë që skandalizonte por në të skandalizuarin. Ajo ishte shenja autentike që duhej të hiqej prej kandidatit.

    Ku na çon rrjedha aktuale? Në një demokraci edhe më të rreme, ku raporti mes politikanëve dhe qytetarëve bëhet edhe më meskin e edhe më sipërfaqësor, e të cilit me shumë kënaqësi do t’i nënshtrohen të gjitha partitë tona politike.

    Desubjektivimi i popullit

    Dhe, nga ky desubjektivim kandidatësh që arriti kulmimin në këto zgjedhje dolëm edhe te desubjektivimi i popullit.

    Natyrisht, termin “popull” po e përdor vetëm të kushtëzuar brenda ironisë me përdorimin që i bën e i bënte kryeministri i Kosovës. Unë besoj që vet termi “popull” është desubjektivues i qytetarëve. Por, s’ka rëndësi kjo.

    Rëndësi ka shfajësimi që bëri Albin Kurti për humbjen. Ai përmendi “defektet e brendshme” dhe “bashkimin e partive tjera politike” kundër tij.

    Unë nuk dua të merrem nëse këto arsye qëndrojnë ose jo. Dua të merrem me shtratin mbi të cilin shtrihen të dyja për të kuptuar këndvështrimin e kryeministrit mbi demokracinë tonë. Siç mund ta shihni në fjalinë shfajësuese, por edhe në fjalitë e tjera që ai tha gjatë këtyre dy ditëve, popullit në vetvete i merret i gjithë subjektiviteti. Ai ose mashtrohet prej partive tjera (u bënë bashkë) ose prej tij (defekte të brendshme). Ai nuk zgjedh dhe nuk di të zgjedh.

    Kjo është edhe logjika që qëndron prapa mijëra profileve të rrejshme në Facebook (që ndërtojnë opinion efektivisht qindra herë më shpejt e më shumë se analistët e televizioneve), e edhe logjika që qëndron prapa instrumentalizimit të plotë çnjerëzor që iu ka bërë anëtarëve të partisë së tij, prej kryeparlamentarit e teposhtë.

    Në një dokument të shpërndarë me njerëz të besueshëm, raportohet se thuhej në mënyrë eksplicite që Kurti kishte kërkuar përdorimin e profileve të rrejshme dhe lajmeve të rrejshme për të mashtruar 45% të popullit që i konsideronte analfabetë.

    Por, edhe nëse kjo nuk qëndron, Kurti në një emision televiziv para disa vitesh e ka pranuar se “e tejthjeshton diskursin” në mënyrë që të mobilizojë masën. A s’është e njëjta gjë?

    Kosova i ka do themele të demokracisë që i ka vënë Bashkimi Evropian me takatin e tij. Por, siç na ka dëshmuar viti i kaluar, edhe demokracia më e konsoliduar në botë (amerikane) mund ta rrezikohet të bie krejtësisht. Ndoshta, në rastin tonë mësimet janë më të vlefshme nga Afganistani, një shtet që ra pas largimit të Amerikës si të ishte shtëpi prej letre. Edhe aty përshëndetej rruga e afganëve drejt demokracisë, por e cila u dëshmua të ishte krejtësisht farsë. Dhe bash farsa, është fati aktual i demokracisë tonë: politikanë të rehatuar pa kurrfarë agjende vetjake, pa kurrfarë idesh, që e çojnë përpara kursin e përgjithshëm politik, dhe që punojnë si robotë në atë që u thuhet brenda kuadrit të mbrojtjes së këtij sistemi të rrremë.

    Kosova organizon zgjedhje të mira e pa incidente sepse askujt nuk i cenohen seriozisht interesat. Sikur demokracia të ishte më përmbajtësore, atëherë do të ndryshonte puna. Por, meqë s’është,  çdo ditë e më shumë ajo që e quajmë politikë po bëhet një “lojë tezesh” e luajtur nga fëmijë që simulojnë botën e të rriturve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark