×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kush ishte cak i vrasjes në Gllogjan, tregon prokuroria

    Insajderi
    05 May 2023 - 16:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokurorja e rastit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan, Sahide Gashi, ka thënë se target i sulmit ishte shoferi i autobusit dhe se krimi ishte i mirë-planifikuar.

    Pas sigurimit të provave, Gashi ka thënë se është konstatuar se ekzekutuesi ka qenë i maskuar.

    Mbi bazën e treguesve që i kishim, siç është përzgjedhja e vendit, ku përveç një vendbanimi të vogël që gjendej në largësi të krahut të djathtë të lëvizjes së autobusit, nuk ka asnjë shtëpi në afërsi dhe se pjesa më e madhe e terrenit ishte e mbuluar me drunj e shkurre që e vështirësonte shikueshmërinë e kalimtarëve të rastit dhe ku nuk ka mbulim me kamera”, tha Gashi.

    Sipas Gashit krimi ishte mirë i planifikuar.

    Zhdukja e kryerësit pa lënë asnjë gjurmë është tregues se i njëjti ose e ka njohur mirë terrenin ose ka pasur bashkëpunëtorë që e kanë ndihmuar duke e larguar prej aty menjëherë pas sulmit”, tha Gashi

    Tutje, ajo bëri të ditur se gjatë hetimeve janë proceduar 86 persona, qindra informata, janë analizuar mbi 40 video-incizime nga Gjakova e deri në Gllogjan, teksa shtoi se janë dërguar prova edhe në Zvicër e Shqipëri.

    Janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe kompania Viber në Luksemburg. Si përfundim, nga të gjitha hetimet kemi arritur që të sigurojmë prova ku e kemi ndërtuar të gjithë ngjarjen e natës kritike”, tha ajo.

    Ajo ka njoftuar se është ngritur aktakuzë për tragjedinë e Gllogjanit në autobus, ku ishin vrarë tre nxënës.

    Ju njoftoj se pas hetimeve, Prokuroria sot me datë 5 maj ka ngritur aktakuzë Kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkëkryes së vrasjes së rëndë”, ka deklaruar Gashi.

    Kemi ngrit aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për shtytje të vrasjes”, tha ajo.

    Ndërkaq njoftoi se Malsor Mehmetaj është liruar nga akuzat, meqë nuk ka pasur prova të mjaftueshme që dëshmojnë fajësinë e tij.

    Tutje ajo ka falendëruar familjet e të vrarëve që i kanë mbështetur në punën e tyre.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark