Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, në të cilën paraqiten dyshimet e këtij institucioni ndaj tre zyrtarëve policorë: Alfred Ismajli, Artan Shala dhe Bion Beqiri.
Alfred Ismajli dyshohet se, nga data 12 mars 2024 deri më 21 janar 2026, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke bashkëpunuar me të dyshuarin Mihajlo Milovanoviç për t’i ndihmuar në tjetërsimin e parcelës kadastrale nr. 1662-0, me sipërfaqe 5,976 m², përmes dokumenteve të falsifikuara dhe bartjen e saj tek Zeljko Jagodiç.
Sipas dyshimeve, Ismajli, me udhëzime të Milovanoviçit, ishte interesuar edhe në Prokurori nëse kishte mbërritur ndonjë dokument nga Beogradi lidhur me rastin. Po ashtu, pasi Sami Qyqalla kishte raportuar rastin më 31 tetor 2025 në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, duke pretenduar se babai i tij e kishte blerë pronën që në vitin 1958, Ismajli dyshohet se ishte angazhuar brenda stacionit policor për ta ndihmuar Milovanoviçin dhe për ta informuar vazhdimisht për zhvillimet e rastit.
Ai dyshohet se kishte marrë pjesë edhe në intervistimin e dëshmitares V.M., ndonëse rasti tashmë ishte në sektorin e hetimeve ku ai nuk kishte kompetencë. Më pas, sipas dosjes, Ismajli e kishte njoftuar Milovanoviçin për rrjedhën e intervistimit, ndërsa ky i fundit qëndronte pranë stacionit policor për t’u informuar në kohë reale.
Në një komunikim tjetër, Milovanoviç dyshohet se i kishte kërkuar Ismajlit që gjatë intervistimit të kërkonte nga Qyqalla të tërhiqte ankesën në Kadastër dhe padinë në Gjykatë. Gjithashtu, Ismajli dyshohet se i kishte dërguar Milovanoviçit raportin e hetuesit Bion Beqiri, në mënyrë që ai të shihte veprimet e ndërmarra në rast, ndërsa ky i fundit i ishte përgjigjur: “E lexova dhe mirë e ke shkruar”.
Ismajli dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Shkelja e fshehtësisë së procedures”.
Ismajli dhe Bion Beqiri dyshohen se më 8 nëntor 2025, nga ora 15:10 deri në 16:35, në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë intervistimit të dëshmitares V.M., e cila ishte zyrtare e kadastrit në Komunën e Prishtinës.
Sipas dyshimeve, ata i kanë bërë presion të vazhdueshëm dëshmitares që të vepronte në kundërshtim me detyrën e saj zyrtare, duke kërkuar që të fshinte vërejtjen e regjistruar në parcelën kadastrale nr. 1662-0, me sipërfaqe 5,976 m², vërejtje kjo e vendosur për shkak të një procedure paraprake në Gjykatë.
Dosja thotë se zyrtarët policorë i kanë kërkuar asaj të shkonte në punë, ta fshinte vërejtjen dhe më pas të sillte certifikatën e pronësisë, në mënyrë që prona të regjistrohej si trashëgimi në emër të Zeljko Jagodiç.
Sipas Prokurorisë, Alfred Ismajli kishte vepruar nën udhëzimet e të dyshuarit Mihajlo Milovanoviç, me qëllim që ky i fundit ta shiste pronën dhe të përfitonte kundërligjshëm, pasi dokumentet e pronës dyshohet se ishin falsifikuar më herët dhe prona ishte tentuar të bartet tek Zeljko Jagodiç.
Me çka Ismajli dyshohet se kryer veprën penale “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.
Bion Beqiri dyshohet se, në cilësinë e hetuesit, ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimet zyrtare duke vepruar në bashkëpunim dhe nën udhëzimet e Alfred Ismajli në trajtimin e një rasti që lidhet me parcelën kadastrale nr. 1662-0 me sipërfaqe 5,976 m².
Sipas dyshimeve, ndonëse Ismajli nuk ishte pjesë e Sektorit të Hetimeve, Beqiri e ka lejuar atë të marrë pjesë në intervistimin e dëshmitares V.M. pa u evidentuar në procesverbal, edhe pse e dinte se një gjë e tillë nuk lejohet.
Po ashtu, Beqiri dyshohet se e ka ftuar dëshmitaren të japë deklaratë gjatë ditës së shtunë, me qëllim që të ketë mundësi ta trajtojë rastin sipas mënyrës së tyre.
Në dosje thuhet gjithashtu se raporti i tij, i cili i ishte dërguar Prokurorit dhe Hetuesve të Krimeve Ekonomike, dyshohet se ishte përcjellë më parë nga Ismajli tek Mihajlo Milovanoviç.
Ai dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Beqiri dyshohet se, në bashkëpunim me Ismajli, ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimet zyrtare më 8 nëntor 2025, nga ora 15:10 deri në 16:35, në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, gjatë intervistimit të dëshmitares V.M., e cila ishte zyrtare në Komunën e Prishtinës.
Sipas dosjes, gjatë intervistimit Beqiri ka qenë i pranishëm, ndërsa Ismajli dyshohet se i ka bërë presion të vazhdueshëm dëshmitares që të vepronte në kundërshtim me detyrën e saj zyrtare, duke kërkuar që të fshinte vërejtjen e regjistruar në parcelën të lartcekur, e cila ishte vendosur për shkak të një procedure paraprake në Gjykatë.
Gjithashtu, sipas dyshimeve, asaj i është kërkuar të paraqitet në punë, të fshijë vërejtjen dhe më pas të dëshmojë me certifikatën e pronësisë, në mënyrë që prona të kalonte si trashëgimi në emër të Zeljko Jagodiç.
Hetimet pretendojnë se këto veprime janë kryer nën udhëzimet e Milovanoviç, me qëllim që më pas prona të shitej dhe të përfitohej në mënyrë të kundërligjshme, pasi dyshohet se dokumentet e saj ishin falsifikuar më herët dhe prona ishte tentuar të bartet tek Zeljko Jagodiç.
Kështu dyshohet të ketë të kryer veprën penale “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.
Artan Shala dyshohet se ka keqpërdorur detyrën dhe tejkaluar kompetencat zyrtare duke bashkëpunuar me persona të tjerë për sigurimin e certifikatave të pronave publike, të cilat më pas dyshohet se përdoreshin nga Mihajlo Milovanoviç për falsifikim dokumentesh, me qëllim që pronat të paraqiteshin si të rregullta dhe të shiteshin për përfitime të kundërligjshme.
Sipas dosjes, Shala vepronte nën udhëzimet e Milovanoviçit. Më 29 maj 2024, Mihajlo e kishte pyetur: “A fole me qat djal me nxjerr ato”, ndërsa një ditë më vonë, më 30 maj 2024, Shala i ishte përgjigjur: “Kto letrat un i kom kur t’vish t’i dha”.
Më pas, përmes aplikacionit Viber, Artan Shala dyshohet se i kishte dërguar fotografi të kopjeve të certifikatave të pronësisë për një parcelë me sipërfaqe 10,233 m², një me sipërfaqe 14,391 m² dhe një tjetër me sipërfaqe 14,938 m², të gjitha në Fushë Kosovë dhe në pronësi të një biznesi.
Sipas Prokurorisë, këto dokumente ishin printuar nga A.G., ndërsa Shala dhe Milovanoviç dyshohet se kishin komunikime dhe takime të shpeshta edhe me zyrtarë të tjerë policorë të përfshirë në rast.
Me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Shala dyshohet se më 30 maj 2024 ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimet zyrtare duke bashkëpunuar me persona të tjerë për t’ia vënë në dispozicion Mihajlo Milovanoviç certifikatat e pronësisë së pronave shoqërore, të cilat dyshohet se i kishte siguruar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas Prokurorisë, dokumentet janë përdorur më pas nga Milovanoviçi për tjetërsimin e pronave.
Me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”.