×
  • Lajme
  • Insajderi

    Këta janë gjykatësit e Ferizajt, të cilëve Rasim Maloku ua sekuestroi villat

    Insajderi
    20 October 2022 - 18:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aksioni i sekuestrimit të villave të pasanikëve në Brezovicë ka dridhur elitën e njerëzve që kanë pushimore në Brezovicë.

    Ne aksionin e zhvilluar javën e kaluar në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 100 vikend-shtëpiza të ndërtuara jashtëligjshëm.

    Villat për të cilat shteti më pas do të vendos nëse duhet të rrëzohen ose jo, javën e kaluar u rrethuan me shirita të policisë.

    Lexo edhe:

    Në mesin e tyre ishin edhe villat e tre gjykatësve të Ferizajt, të cilët janë gjykatës në tri niveleve të gjyqësorit.

    Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa.

    Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit,  si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme.

    Lexo edhe:

    Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.

    “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar të tre gjykatësit për të konfirmuar sekuestrimet e villave të tyre nga Prokuroria, pasiqë janë ndërtuar në zonën ku nuk lejohet ndërtimi, gjë të cilën e kanë konfirmuar.

    Agim Maliqi, gjykatës në Gjykatën Supreme, ka konfirmuar se pronën, e cila është sekuestruar, e ka blerë në vitin 2016 bashkë me dy gjykatësit e tjerë, Mustafë Tahiri dhe Bashkim Hyseni, ndërsa për leje të ndërtimit të villës ka aplikuar vitin a kaluar.

    “Lejen e kom marrë vitin e kalum. Ndërtimin e kam nis afërsisht në nëntor… Këtë vit kom vazhdu dikun, mos gabofsha, prill-maj qaty dikun”, ka thënë Maliqi.

    “Betimi për Drejtësi” ka pyetur gjykatësin Maliqi se pse kjo villë nuk figuron në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, sipas tij, ai ka deklaruar se vitin e kaluar nuk ka pasur objekt por vetëm themel, ndërsa villa do të deklarohet për këtë vit.

    I pyetur se si ka blerë pronë dhe si ka ndërtuar në Zonën e II-të të Brezovicës, ku ndërtimi ndalohet me ligj, Maliqi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për këtë dhe se u takon organeve që kanë lëshuar lejet që ta verifikojnë këtë çështje.

    I pyetur se si i komenton zhvillimet në aksionet e Prokurorisë në sekuestrimet që po ndodhin në Brezovicë dhe pretendimet se shumë prej lejeve janë marrë përmes ryshfetit, gjykatësi Maliqi ka thënë se kjo është punë e Prokurorisë që të vërtetojë nëse kanë ndodhur këto veprime.

    “Në qoftë se e vërtetojnë ata (prokuroria), duhet me na akuzu neve penalisht me na ndjek, s’kom çka me fol aty unë, unë kom apliku si çdo qytetar me dokumentacion të rregullt me ato leje urbanistike… Edhe me fol të drejtën unë fortë edhe s’jom marr me atë punë se arkitekt e kom një të afërm temin, ai na ka bo planin e ato krejt a po më kupton, aty nëse vërtetohet se ka ryshfet atëherë duhet me më ndjek penalisht mu”, ka thënë Maliqi.

    I pyetur se si ka ndërtuar në zonën që nuk lejohet ndërtimi, Maliqi thotë se as sot nuk e dinë në cilën zonë e ka shtëpinë në Ferizaj dhe se për këtë përgjegjësi kanë organet komunale.

    “Tash s’po bisedojmë si gjyqtar e si prokuror, unë si qytetar aty kom ndërtu. Tek e fundit ato zona edhe vet prokuroria ka pas problem me i identifiku deri sa kanë dal me aparatin e GPS-ave. Tek e fundit unë kom apliku e kom paraqit parcelën, në cilën parcelë, në cilin vend, çfarë sipërfaqe, tash unë s’jom i obligum me i ditë ato zona, tek e fundit se di shpinë ku e kom në zonë në Ferizaj, a aty qe 50 vite jetoj aty, unë se di tash në cilën zonë jom”, ka deklaruar ai.

    “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me Bashkim Hysenin, ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, tani gjykatës në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, i cili poashtu ka konfirmuar se ka blerë pronën dhe ka ndërtuar villën në Brezovicë.

    “Toka u ble dikun 2016, lejen e kena marrë 2018 edhe 2019 qaty ka fillu… Në procedurë të rregullt kena apliku, organet kompetente e kanë lëshu, me gjithë dokumentacionin çka është dashtë”, ka thënë Hyseni.

    Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni nëse ndërtimi në këtë zonë ndalohet, pasi ka ndjekur procedurat ligjore tek organet kompetente.

    “Nuk e kom ditë ato pjesë me zona qysh janë, gjeodet nuk jam… Unë kom ble pronë aty kam pas bindje që lejohet aty për shkak se ka pas ndërtime 10 vjet e 15 vjet para neve”, ka thënë Hyseni.

    Mustafë Tahiri, Kryetar aktual i Gjykatës Themelore në Ferizaj, fillimisht nuk ka pranuar të deklarohet për asgjë rreth çështjes së villës së sekuestruar.

    “Ju do të informoheni me kohë për çdo detaj lidhur me këtë çështje, unë do të ju njoftoj juve personalisht edhe krejt të interesuarve, për momentin nuk kam çka me thanë”, ka thënë Tahiri.

    Pasi janë intervistuar dy gjykatësit Agim Maliqi dhe Bashkim Hyseni, pas një ore, vet gjykatësi Mustafë Tahiri ka thirrur në telefon hulumtuesin e “Betimit për Drejtësi”, duke shprehur gatishmëri që të deklarohet për këtë temë.

    Tahiri ka konfirmuar njëjtë se ka blerë pronën dhe ka filluar ndërtimin e villës, të cilën ende nuk e ka përfunduar. Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi, pasi ka aplikuar në mënyrë të rregullt për leje ndërtimi, të cilën e ka marrë nga Komuna e Shtërpcës.

    Vikend-shtëpizat e ndërtuara ilegalisht në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” u sekuestruan javën që shkoi. Atyre iu ngjitën shiritat i Policisë dhe iu ndaluan punimet. Pronarët e tyre do të njofton për sekuestrimin e tyre.

    Prokurori i operacionit “Brezovica”, Rasim Maloku, në një intervistë për Gazetën Insajderi tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës për rrënimin e tyre.

    “Ne do të paraqesim kërkesën tek gjykata për rrënimin e tyre. Është vendimi përfundimtar i gjykatës që me i rrënu këto objekte, është çështje ligjore dhe besojmë që edhe gjykata do të marr vendim për rrënimin e tyre”, tha Maloku.

    Maloku tregoi për aksionin e ndërmarr dje në këtë zonë.

    “Është duke vazhduar aksioni në rastin “Brezovica”. Jemi duke bërë sekuestrimin e të gjitha Vikend- shtëpizave që gjenden të ndërtuara në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri”, ku është i ndaluar ndërtimi  por për shkak të veprimit korruptive të zyrtarëve është ndërtuar edhe në këtë zonë dhe tani pas një inspektimi qe kemi bërë muajin e kaluar jemi duke bërë sekuestrimin e objekteve”.

    Ndonëse nuk i bëri të ditur me emra, Maloku tha se pronarët e këtyre villave janë personat që po hetohen nga prokuroria. Disa nga ta janë në paraburgim e disa me masa të tjera.

    “Disa nga të dyshuari janë nën hetim disa janë në paraburgim e disa në masa te tjera. Vikend-shtëpizat e sekuestruara që janë rreth 80, disa nga to ishin në fazën fillestare të ndërtimit, disa në përfundim e disa të përfunduara. Rreth 80 vikend shtëpiza do të sekuestrohen. Disa janë në fazën fillestare disa janë të përfunduara e disa në përfundim. Kjo është kurorëzim i të gjitha aksioneve, efekti të gjitha operacioneve janë sekuestrimi i këtyre villave”.

    Lexo edhe:

    Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

    Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

    Shiko edhe:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark