×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    INTERVISTË | 50 dëshmitarë e mbi 5 milionë euro të bllokuara – Prokurori i rastit “Brezovica” flet për Insajderin, zbulon detaje të panjohura për publikun

    Insajderi
    29 September 2022 - 09:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një ndër operacionet më voluminoze kundër luftimit të krimit e korrupsionit në Kosovë po cilësohet rasti “Brezovica”. Ky operacion nuk ka përfunduar ende. Por pasojat ishin të mëdha. Shumë biznesmenë e zyrtarë kanë përfunduar prapa grilave si të dyshuar për ndërtime të jashtëligjshme në zonën e Parkut Kombëtar në Brezovicë.

    I nisur që gjashtë vite më parë [ 2016 ], ky operacion, deri me tani ka përfshirë rreth 70 të pandehur. 30 nga ta janë të arrestuar – 18 ndodhen në paraburgim – 3 në arrest shtëpiak e disa me masa më të buta. Të implikuar në këtë rast janë edhe rreth 50 dëshmitar që po mbrohen nga shteti. Prokurori i rastit, Rasim Malokun tregon për Insajderin sfidat e kërcënimet që lidhen me rastin.

    Rasti Brezovcia si hetim fillestar ka filluar në vitin 2016 kur janë ndërmarr veprimet fillestare të Policisë së Kosovës me qëllim të sigurimit të provave. Pastaj ka filluar hetimi në 2017. Është ngritur një aktakuzë në vitin 2020. Kurse tani janë nën hetim dhe dy raste të reja që janë të lidhur me rastin Brezovica.

    Prokurori Rasim Maloku ka thënë për Gazetën Insadjeri se deri me tani është ngritur një aktakuzë për 11 të pandehur. Ndërsa 30 të tjerë janë arrestuar dhe po pritet të gjykohen për veprat penale.

    Nga këta të pandehur, Maloku tregon se tetë persona deri me tani kanë nënshkruara marrëveshjen për pranim të fajësisë, ndërsa thotë se ka kërkesa edhe për disa të tjerë.

    Rreth 30 dëshmitarë janë intervistuar deri me tani derisa po pritet intervisitmi edhe i rreth 20 të tjerëve. Gjithsej janë 50 dëshmitarë.

    Meqë aksioni është shumë i madh, Maloku tregon se ka raste edhe kur janë kërcënuar dëshmitarët.

    𝐈𝐧𝐭𝐞𝐫𝐯𝐢𝐬𝐭𝐚 𝐞 𝐩𝐥𝐨𝐭ë 𝐦𝐞 𝐩𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐨𝐫𝐢𝐧 𝐑𝐚𝐬𝐢𝐦 𝐌𝐚𝐥𝐢𝐤𝐮:

    Insajderi: Kur kanë filluar hetimet e para për rastin “Brezovica”

    Rasti Brezovcia si hetim fillestar ka filluar në vitin 2016 kur janë ndërmarr veprimet fillestare të Policisë së Kosovës me qëllim të sigurimit të provave. Pastaj ka filluar hetimi në 2017. Është ngritur një aktakuzë në vitin 2020. Kurse tani janë nën hetim dhe dy raste të reja që janë të lidhur me rastin Brezovica.

    Insajderi: Sa persona janë të përfshirë në këtë rast, sa janë arrestuar dhe sa aktakuza janë ngritur?

    1 aktakuzë për 11 të pandehurit – tre nga ta janë zyrtarë kurse 8 janë investues në zonën e parkut kombëtarë Sharri në Brezovicë. Janë nën hetim dhe 70 të pandehur të ndarë në dy lëndë. Mbi 30 persona te arrestuar-  18 paraburgim 3 në arrest shtëpiak dhe disa me masa me te buta e dita mbrohen në liri. Pra varësisht nga rrezikshmëria se sa e pengojnë hetimet apo mund të arratisen.

     Insajderi: Sa persona kanë pranuar Fajësisë?

    Kemi disa kërkesa. Deri tani kemi arritur tetë marrëveshje për pranimin e fajësisë. Jemi në shqyrtim edhe të disa kërkesave të tjera.

     Insajderi: Jeni duke përfshirë shumë persona në këtë rast, a do të ndahen si raste apo si do të gjykohen?

    Gjykimet do të jenë të veçanta. Një lëndë penale është në gjykatë. Dy janë në hetim që do të shkojnë dy aktakuza të ndara. Kurse për raste tjetra varësisht nga provat dhe faktet që do të sigurohen për personat që mund të jenë të implikuar.

    Insajderi: A do të ketë aksione të radhës?

    Ne kemi bërë inspektim në Parkun e Sharrit. Pasi ti marrim këto inspektime. Do të shikojmë se të këta persona a kanë implikime. Varet nga provat që do të nxjerrën nga inspektimet?

    Insajderi: A kanë përfunduar inspektimet në teren?

    Inspektimet i keni kryer të gjithat. Ka qenë një inspektim që është bërë për disa ditë me radhë kemi inspektuar çdo objekt që gjendet në atë zonë dhe jemi në pritje të të gjeturave.

    Insajderi: Sa është pasuria e sekuestruar, sa para janë ngrirë?

    Në kuptimin e një rrumbullakësimi janë rreth 5 milionë euro që janë të ngrira në llogari të të pandehurve dhe familjarëve të tyre. Pastaj janë të sekuestruar me dhjetëra vetura të sekuestruar në disa operacione. Janë më shumë se 15 vetura që vlerat i përcakton agjencioni për pasuri të konfiskuar. Nëse konfiskohen ato shiten ose i dorëzohen qeverisë.

    Insajderi: Po prona, sa janë konfiskuar?

    Tash për tash kemi disa prona që janë të ngrira. Pritet të ketë ngrirje edhe të disa pronave të tjera varësisht nga gjetjet nga Inspektimi.

    Insajderi: Në vendime keni përmendur dëshmitar. Sa dëshmitarë keni dhe a janë në mbrojte ata?

    Janë mbi 50 dëshmitarë. Kemi ndërkohe që na lindin dëshmitar të rinj ose që paraqitën vullnetarisht. Mbi 30 dëshmitar janë invervistu. Me disa kemi problem me adresat që kanë bërë nderimin e adresave. Kemi numër të madh të dëshmitareve. Dëshmitarët janë të gjithë në Kosovë, janë mbi 10 dëshmitar bashkëpunues. Kemi dhe dëshmitarë të mbrojtur por nuk kanë kërkuar mbrojtje shtesë.

    Insajderi: Si prokuror jeni përballur edhe ne një rast tjetër me kërcënim. A mund të na tregoni lidhur me rastin “Brezovica” a keni marr ndonjë kërcënim?

    Në rastin e Brezovices tash për tash kërcënime të drejtpërdrejta të asaj natyre sikur të rastit të kaluar nuk kam pasur. Mirëpo përmes burimeve indirekte ka kërcënime edhe në këtë rast por nuk mund t’i bëjmë publike tani për tani.

    Insajderi: A janë kërcënuar dëshmitarët?

    Kanë tentuar të ndërhyjë tek dëshmitaret dhe tek persona të tjerë. Nuk janë të arrestuar janë persona të tjerë . disa nga ta janë na rrethi I personave të pandehur. Personalisht jo. As nga strukturat as nga qytetarë nuk ka pasur tentime që të ndikohet në rast. Por të dëshmitarëve dhe tek të pandehurit ka pasur. Dhe janë marrë masat.

    Si nisi aksioni i dytë më të madh të korrupsionit i njohur si “Brezovica”

    © Gazeta Insajderi në vazhdimësi ka përcjellur aksionet e realizuara nga ky rast. duke sjellur informata ekskluzive për personat e arrestuar dhe lidhjet e tyre. Një dokumentar i realizuar nga InDoks shpërfaq “Elitën e Ryshfetit” të përfshirë.

    Aksioni i fundit “Brezovica 6”

    Me 21 shtator 2022 është zhvilluar operacioni i fundit në 11 lokacione ku mbetën të arrestuar 7 persona të dyshuar për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”,nga neni 422 , “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gazeta Insajderi kishte sjellur ekskluzivisht disa nga emrat e të arrestuarve. ndër ta ishte edhe dhëndri i ministrit Liburn Aliut, Berat Lahu.

    Në mesin e tyre ishin edhe tre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Prokuroria kishte dhënë këto detaje lidhur me rastin.

    Aksioni i parë “Brezovica” – 10 të arrestuar

    Pas hetimeve nga viti 2016, aksioni i parë “Brezovica”, filloi më 21 dhjetor 2021 në komunën e Shtërpcës i udhëhequr nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

    Nga ky aksion përfundoi me arrestimin e ish-kryetari i komunës së Shtërpcës  Bratislav Nikoliç, si dhe 10 persona të tjerë nën dyshimin se përfituan mbi miliona euro në këmbim të lejeve ndërtimore në këtë zonë turistike. Mbi ta rendonin veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Ish-kryetari i komunës së Shtërpcës  Bratislav Nikoliç dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

    Gazeta Insjaderi kishte arritur të siguroj emrat e disa nga biznesmen dhe zyrtarët e arrestuar.

    Personat e arrestuar janë: Bratislav Nikolic, Sasa  Milosavljevic, Dimitrije Raicevic, Sasa Spasic, Hysni Bajrami, Riad Hsani, Raif Bajrami, Dragomir Mihajloviç dhe Blerim Imeri.

    Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.

    Numri i të arrestuarve kishte shkuar në 17 me arrestimin e këtyre shtatë të dyshuarve më 6 janar 2022, ndërsa afër 6 milionë euro u bllokuan.

    “Brezovica 3”

    Më 3 mars 2022 ka vazhduar aksioni “Brezovica 3” me bastisjen e 12 lokacioneve në katër qytete të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj e Lipjan.

    Nga ky aksion, janë arrestuar 7 persona, tre prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim të ndikimit.

    Aksioni “Brezovica” vazhdoi edhe më 16 mars 2022, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.

    Ky operacion nuk ka përfunduar ende.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark