Kushtetutesja e shpalli anti-kushtetuese shkarkimin e bordit të RTK-së, ish-anëtari ka një paralajmërim për deputetët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kushtetutesja e shpalli anti-kushtetuese shkarkimin e bordit të RTK-së, ish-anëtari ka një paralajmërim për deputetët

    Insajderi
    01 August 2023 - 21:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bajram Mjeku, ish-anëtar i bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka qenë një nga të shkarkuarit në korrik të vitit 2021 nga Kuvendi i Kosovës.

    Por ky shkarkim ka qenë antikushtetues, ka qenë konstatimi i Gjykatës Kushtetuese, të martën e 1 gushtit.

    Për këtë Mjeku thotë se është i çliruar emocionalisht, pasi tregon se ai dhe familja e tij nuk i kanë shpëtuar bullizimit gjatë gjithë kësaj kohe.

    E me këtë çlirim emocional, nuk do të ndalet thotë se do të padisë deputetët përgjegjës.

    Postimi i plotë:

    Reagim: Kushtetuesja foli, e drejta triumfoi

    Pas inicimit të dhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kur në korrik të vitit 2021 dërguan në Gjykatën Kushtetuese ankimimin mbas shkarkimit arbitrar të Bordit të RTK-së nga deputetët e mazhorancës, më në fund pas dy vjetësh, sot foli Gjykata Kushtetuese. Vendimi rezultoi në favor të anëtarëve të shkarkuar të Bordit të RTK-së, që do të thotë se deputetët e mazhorancës kanë bërë veprim antikushtetues!

    Në kërkesën time me shkrim, të cilën më 21 qershor të vitit 2021 ia pata dërguar znj. Doarsa Kica Xhelili, kryetare e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie e Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Republikës, pata kërkuar që për shkak të ndjeshmërisë, të themelojnë komisionin hetimor parlamentar dhe të gjithë anëtarët e Bordit të intervistohen një për një, para se emrat tonë të dërgohen për shkarkim në Kuvendin e Republikës. Nga deputetët e Kuvendit jemi zgjedhur veç e veç dhe përgjegjësitë i kemi marrë veç e veç, pa paragjykuar asnjëherë gabimet apo shkeljet e dikujt tjetër.

    Në planin emocional, sot ndjehem i çliruar, pasi ndjesinë e shkarkimit e kam bartur tash dy vjet. Edhe pas Vendimit të sotëm nga Gjykata Kushtetuese, nuk ka përfunduar asgjë. Në fakt, ky është vetëm fillimi i fundit i një odiseade, derisa kjo barrë ka rënduar edhe mbi familjen time, e cila nuk ka mundur t’i shpëtojë bullizmit, i shprehur aq shumë në ambientin tonë brutal.

    Kurdo që vendimi të bëhet i plotfuqishëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, do të kontaktoj avokatin tim për të nisur procedurën e padisë civile ndaj deputetëve të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie e Zhvillim Rajonal dhe deputețëve të Komisionit Parlamentar për Punë e Transfere në Kuvendin e Kosovës, të cilët si mjet rrënues përdorën numrat e arrogancën, në vend të argumenteve dhe qasjes profesionale. Janë pikërisht këta deputetë, të cilët me zell të paimagjinueshëm dhe pa zgjedhur asnjë mjet, provuan të rrënojnë integritetin personal e profesional në sy të opinionit publik, prandaj do t’i shfrytëzoj të gjitha mjetet ligjore, që të zbatohet drejtësia e munguar.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark