Kuvendi që nuk kuvendon: 15 herë jo  - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kuvendi që nuk kuvendon: 15 herë jo 

    Insajderi
    14 May 2025 - 18:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 15-të të konstituohet. Seanca e fundit u mbyll pa  rezultat, sikurse të gjitha para saj, ndërsa përpjekja për të kaluar në votim të fshehtë për Kryetarin  e Kuvendit, përmes krijimit të një komisioni ad hoc, nuk u mbështet nga opozita. Në këto rrethana,  përplasja politike po shndërrohet në një bllokadë tërësore të sistemit parlamentar. 

    Në këtë kontekst, presidentja e vendit ka caktuar një takim me partitë politike më 15 maj, duke  synuar të hapë një dialog ndërpartiak për gjetjen e një rrugedaljeje nga kriza. Paralelisht, Aleanca  për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tashmë ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo  kërkesë ka të bëjë me sqarimin nëse është e mundur kthimi nga procesi i votimit të hapur në votim  të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, pas disa dështimeve të njëpasnjëshme përmes  votimit të hapur. 

    Dy rrugë janë tashmë në lëvizje: ndërhyrja politike përmes dialogut dhe ndërhyrja juridike përmes  Gjykatës Kushtetuese. Por a është njëra e mjaftueshme pa tjetrën? 

    Nga pikëpamja juridike, është e rëndësishme të sqarohet çdo paqartësi e mundshme që e pengon  procesin e konstituimit. Por kjo nuk e zëvendëson nevojën për një vullnet të qartë politik për të  gjetur kompromise dhe për të respektuar procedurat institucionale. Kur mungon vullneti politik,  edhe mekanizmat juridikë e kanë efektin e kufizuar.  

    Në thelb, problemi nuk qëndron në mungesë të mjeteve kushtetuese, por në mungesë vullneti për  t’i përdorur ato në funksion të stabilitetit institucional. Kur palët nuk duan të gjejnë kompromis,  as interpretimi më i qartë i Kushtetutës nuk mjafton. Vazhdimi i insistimit të njëanshëm për një  zgjidhje që nuk ka mbështetje në Kuvend është provë se interesat partiake po vendosen përpara  funksionalitetit demokratik. Në të njëjtën kohë, vendimi për të mbyllur seancat në mënyrë të  menjëhershme, pa kërkuar alternativa procedurale apo propozime të reja, tregon për një qasje  jokonstruktive të drejtuesve të përkohshëm të seancave. 

    Përvoja në Kosovë ka treguar se shpeshherë ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë ka qenë e  pashmangshme në momente të thella bllokade politike. Edhe tani, ndonëse ende nuk është e  artikuluar qartë, ekziston pritshmëria që presioni ndërkombëtar të ndihmojë në zhbllokimin e  situatës. Megjithatë, një sistem institucional nuk mund të mbështetet gjithmonë në ndërhyrje të  jashtme për funksionimin e vet të brendshëm. 

    Zgjidhja e këtij ngërçi kërkon të dyja: qartësi ligjore dhe gatishmëri për dialog politik. Asnjëra nuk  e zëvendëson tjetrën. Qartësia ligjore është e nevojshme për të siguruar një kuadër të qëndrueshëm  dhe të parashikueshëm për veprimet institucionale, ndërsa dialogu politik është thelbësor për të  mundësuar gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët. Megjithatë, seanca e 16-të  nesër mund të përfundojë sërish pa rezultat.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark