Kuzhina humanitare “Jetimat e Ballkanit” në Prizren vazhdon të ofrojë shujta ditore për rreth 300 persona në ditë.
Kjo kuzhinë ka 5 vjet që kur ka nisur këtë mision dhe nuk i ka mbyllur dyert e saja asnjëherë. Kjo falë donatorëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë. Halil Kastrati, udhëheqës i kësaj kuzhine, ka thënë për Ekonomia Online se këtu mesatarisht në ditë marrin nga një racion ushqimor 300 persona, por kohëve të fundit ky numër ka shënuar rritje te theksuar.
“Kuzhina jonë në qytetin e Prizrenit i ka mbushur pesë vjet. Kemi nisur në vitin e parë me 150 persona, ndërsa sot i kemi 300; ofrojmë ushqim falas për rreth 70 familje. Shumica e tyre e marrin ushqimin me vete”, ka thënë ai, për ekonomia online.
Në këtë kuzhinë humanitare zakonisht ushqehen persona të varfër, të moshuar të cilët ose kanë ngelur të vetmuar në shtëpi, apo pension të pleqërisë. Por nuk mungojnë as varfanjaket të tjerë të qytetit, por ka edhe asi që këtu vijnë edhe nga mjediset rurale.
Në kohën e drekës që është rreth orës 13:00, kjo gjellëtore humanitare vërshohet nga njerëzit. Aty shihen pleq e të rinj, të cilët me durim presin në radhë për të mbushur enët me gjellë të përgatitur nga kuzhinierë “me përvojë”.
Jasmina Kitmir, nga komuniteti boshnjak, thotë se në këtë kuzhinë ushqehet qe afërsisht 3 vjet. Thotë se është jetike për të, ngase nuk ka asnjë mundësi tjetër për të ushqyer djalin e paralizuar, për të cilin kujdeset qe gati 4 dekada.“Qe tri vjet marr ushqim dhe gjërat tjera. Pa hoxhën Halil vdesim urie. Askush nuk punon në familje. E kam një djalë të paralizuar. Jam shumë shumë e kënaqur. Shërbimi në këtë kuzhinë është shumë i mirë”, thotë Jasmina,
Behar Gashi thotë se në këtë gjellëtore ushqehen tetë anëtarë të familjes së tij. Përveç ushqimit, ai thotë se shoqata “Jetimat e Ballkanit” iu ndihmon edhe me gjëra tjera, si veshmbathje, gjëra tjera ushqimore, higjienike dhe sanitare.
“Këtu marr ushqim për 8 anëtarë. Kjo shoqatë na ka ndihmuar me ushqim dhe me gjëra tjera. E falënderoj Halil Kastratin dhe të tjerët për këtë përkrahje shumë jetike për ne”, thotë ai.
“Qe pesë vjet ushqehem këtu. Jam e kënaqur me shërbimin që jepet nga kjo shoqatë. Mos me kanë këta na vdesim”, thotë Fija, një grua e komunitetit ashkali.“Shpresat i kemi vetëm tek Zoti dhe kjo shoqatë”, thotë Nexhmije Ibri, e cila tregon se së bashku me katër anëtarë ushqehen me vite të tëra në këtë kuzhinë.
“E përshëndes Halil Kastratin se kujdeset shumë për ne, që as baba për fëmijën e vet nuk besoj që kujdeset kështu. Me fol për këtë hoxhë ndoshta bëhet një roman. Unë vlla me pas nuk na kish ndihmua kështu. E kam një vajzë të sëmur nga skleroza. Operacioni i kushton 30 mijë euro. Djalin e kam pa punë. Këtu marr ushqim qe katër vjet, thotë ajo.
Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” është themeluar në nëntor të vitit 2009 dhe përveç kuzhinës ushtron edhe aktivitete tjera humanitare. Ndërtimi i shtëpive, ndihma mujore financiare për jetimë, janë aktivitet tjera të tjera që këta djelmosha kanë në programin e tyre ditor.