Shefi i kuzhinës së Noma-s, një nga restorantet më të vlerësuara në botë, ka dhënë dorëheqjen mes akuzave për abuzim.
Rene Rexhepi njoftoi largimin e tij nga restaruranti në rrjetet sociale.
“Pas më shumë se dy dekadash ndërtimi dhe drejtimi të këtij restoranti, kam vendosur të largohem dhe t’u lejoj udhëheqësve tanë të jashtëzakonshëm ta udhëheqin restorantin drejt kapitullit të ardhshëm”, ka thënë ai, raporton BBC.
Ish-punonjësit e kishin akuzuar shefin e kuzhinës për krijimin e një mjedisi toksik pune, përfshirë abuzim verbal dhe fizik, përcjell Insajderi.
Institucioni i restoranteve luksoze, i cili është me seli në Danimarkë, është duke u përgatitur për një rezidencë në Los Angeles, por sponsorët e korporatave u tërhoqën pas pretendimeve për abuzim dhe protestave jashtë lokacionit të përkohshëm.
Në një deklaratë të postuar në Instagram, Rexhepi tha se “një kërkim falje nuk është e mjaftueshme; unë marr përgjegjësinë për veprimet e mia”.
“Për këdo që pyet veten se çfarë do të thotë kjo për restorantin, më lejoni ta them qartë: ekipi i Noma sot është më i forti dhe më frymëzuesi që ka qenë ndonjëherë”, shtoi ai.
“Ne kemi qenë të hapur për 23 vite dhe jam jashtëzakonisht krenar për njerëzit tanë, kreativitetin tonë dhe drejtimin që po merr Noma”.
Ai tha se ekipi do të vazhdonte punën e tyre në vendndodhjen e Los Angeles pa të.
Rexhepi gjithashtu dha dorëheqjen nga bordi i MAD, organizatë jofitimprurëse që ai themeloi në vitin 2011, e cila deklaron në faqen e saj të internetit se përqendrohet në ndihmën e atyre që janë të rinj në industrinë e restoranteve.
Një raportim i kohëve të fundit në New York Times tha se dhjetëra ish-punonjës kishin akuzuar shefin e kuzhinës për krijimin e një kulture abuzive në kuzhinë dhe një mjedisi pune toksik, që përfshinte kërcënime verbale dhe keqtrajtim fizik në restorantin që ai themeloi në vitin 2003.
“Për të qenë i sinqertë me ju, mendoj se pasojat e të qëndruarit në heshtje janë më të këqija sesa unë të flas dhe të qëndroj me kolegët e mi kundër dhunës”, tha Jason Ignacio White, ish-punonjës i Noma-s. /Insajderi.org/