Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, del se afaristi dhe kuzhinieri special i Kurtit, Ridvan Muharremi, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në vendimet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, lidhur me sasinë e vajit që duhej të blihej për rezervat shtetërore të Kosovës.
Përveç ministres Rozeta Hajdari dhe dy zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie, në aktakuzë është përfshirë edhe Muharremi, i cili dyshohet se ka ndërmjetësuar dhe negociuar në procesin e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë për furnizim me mallra për rezervat shtetërore.
Sipas dokumentit të Prokurorisë, Muharremi ka luajtur rol kyç edhe në përcaktimin e sasisë së vajit që duhej të porosiste Kosova. Ai nuk ishte pajtuar me propozimin fillestar të ministrisë, që kishte planifikuar blerjen e 90 mijë litrave vaj, dhe kishte kërkuar që kjo sasi të rritej në 200 mijë litra.
Në aktakuzë përmenden komunikime të shumta mes Muharremit dhe zyrtarëve të ministrisë, përfshirë edhe biseda përmes aplikacionit WhatsApp.
Çfarë thotë saktësisht Prokuroria Speciale në aktakuzë?
Në dokumentin e aktakuzës gjithashtu tregohet se si Ridvan Muharremi ka pasur rol kyç edhe në atë se sa litra vaj duhet të porosis Kosova për rezerva, duke mos u pajtuar me propozimet paraprake të ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe duke dhënë edhe propozimet e tij se sa litra duhet porositur.
Sipas bisedave telefonike dhe komunikimeve në WhatsApp, Prokuroria Speciale bën të ditur se zyrtarët e ministrisë, konkretisht Hafiz Gara, e njofton Ridvan Muharremin pas disa bisedave paraprake, se e ka rritur sasinë e vajit që duhet të porositet.
“Nga E-maili, i datës 14.03.2022, vërtetohet fakti se i pandehuri Hafiz Gara, i drejtohet të pandehurit Ridvan Muharremi, me tekstin: ‘Ridvan i nderuar, kalkulimi për vajin ishte bërë për 10 ditë, ndërsa zgjatja e afateve kohore mund të kërkojë sasi më të mëdha… Për një muaj, sasia e vajit në rezerva duhet të jetë 200.000 litra.’”
Në referim të kësaj prove materiale, në ndërlidhje edhe me provat tjera, gjegjësisht bisedave të zhvilluara përmes telefonit në aplikacionin WhatsApp të datës 12.03.2022 dhe 14.03.2022 në mes të pandehurve Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, vërtetohet bindshëm fakti se i pandehuri Ridvan Muharremi ka luajtur rol kyç dhe vendimtar edhe në procesin e blerjes së vajit.
“Nga bisedat vërtetohet fakti se MINT kishte planifikuar blerjen e 90.000 litra vaj, mirëpo i pandehuri Ridvan Muharremi nuk ishte pajtuar me planifikimin prej 90.000 litrave dhe si pasojë e kësaj, i pandehuri Hafiz Gara, përmes këtij e-maili e njofton të njëjtin se tani sasinë e vajit e ka shtuar në 200.000 litra, fakt ky që vërtetohet edhe përmes bisedës së zhvilluar në WhatsApp, ku i pandehuri Hafiz Gara i thotë të pandehurit Ridvan Muharremi: ‘Mjesi Rid, sasinë e vajit e rrita në 200.000 litra, jam tuj punue në kontrata, ti përcjelli sapo ti kompletoj.’”
“Nga kjo rezulton se i pandehuri Ridvan Muharremi ka ndikuar edhe në ndryshimin e planifikimit të sasisë së vajit për blerjen për nevojat e rezervës shtetërore të mallrave, duke e rritur kështu sasinë mbi 100% nga ajo që ishte planifikuar më parë nga MINT, me qëllim të përfitimit të OE ‘Xanto SP. ZO.O.’, me pronar Tomasz Tokarski.”
Lexo edhe: