×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ky është biznesmeni nga Llapi që bashkëpunon me anëtarët e grupit të Millan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq

    Insajderi
    09 December 2021 - 20:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bisnesmeni nga Podujeva, Arben Jetullahu, ka bashkëpunuar disa herë me firmat që janë të afërta me Millan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Madje kompania që fiton tenderët kryesorë në veri, e që ka për bashkëpunëtor familjarin e afaristit nga Llapi – kontratë publike ka marrë edhe nga Liburn Aliu, ministër ky i Albin Kurtit.

    Autoritetet amerikane me 8 dhejtor kanë futur në listën e sanksioneve një grup të organizuar kriminal, që përbëhet nga serbët nga Kosova: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq.

    Ndër vite me këtë njerëz që me bizneset e tyre veprojnë në veriun e Kosovës – kanë bashkëpunuar edhe shumë disa biznesmenë shqiptarë.

    Ndër ta është edhe biznesmeni nga Podujeva, Arben Jetullahu, i cili ka në pronësi kompaninë NNT “ABC”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo firmë disa herë për tenderët e marrë në veri ka bashkëpunuar me kompaninë “RAD”, pronë kjo e Radulle Steviq, i cili u fut në listën e zeze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “RAD” e Steviq nga komuna e Zveçanit, është firma më e suksesshme në përfitimin e tenderëve publik në komunat veriore të Kosovës – për rregullimin e infrastrukturës lokale.

    Të dhënat publike tregojnë se nga korriku i vitit 2015 deri në dhjetor të 2018-ës kjo kompani ka fituar hiç më pak se 120 tenderë.

    Disa prej tenderë më të mëdhenj që “RAD” i ka marrë në veri i ka realizuar në konzorcium me “ABC”-në, shkruan Gazeta Insajderi.

    Shqiptari nga Llapi ka hise në paratë e fituara nga kontratat publike të nënshkruar nga “RAD”, vlera e të cilave arrin deri në 13 milionë euro.

    Por me futjen në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, të Radulle dhe të tjerëve, prona e tyre mund të bllokohet.

    Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

    Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

    Sipas saj, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.

    Këtë vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mirëpritur edhe kryeministri Albin Kurti.

    “Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviq dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës”, shkroi Kurti.  

    “Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”, tha Kryeministri ndër të tjera.

    Por, një nga ministrat e këtij të fundit, Liburn Aliu, i ka dhënë tender pikërisht kompanisë “RAD”, pronë kjo e Steviq, njeri i afërt i Radojçiqit e Veselinoviqit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu, në korrik të këtij viti, i ka dhënë një tender prej gati 600 mijë euro grupit të operatorëve ekonomik ku bën pjesë “RAD”, por edhe kompania e “Europa Partners”, pronë kjo e Mirsad Jetullahut, që është familjar i Arbenit, biznesmenit nga Podujeva.  

    Steviq dhe Jetullahu e morën tenderin për Mirëmbajtjen Verore dhe Dimërore 2021-2022 të Rrugëve Nacionale dhe Rajonale nga Ministria e Infrastrukturës.

    Ky konzorcium, në fakt  e ka fituar Lotin 2, në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale për qytetin e Mitrovicës.

    Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?

    Të mërkurën, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, që është në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, publikoi një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

    Përveç Steviqit, në këtë listë janë përfshirë edhe Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.

    Vëllezërit Vesellinoviq akuzohen po ashtu se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

    Në këmbim, politikanët u kanë dhënë atyre kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

    Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Vesellinoviqin është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.

    Radoiçiq ka lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

    Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.

    Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark