×
  • Lajme
  • Lajme

    Ky është i burgosuri që u arratis mëngjesin e sotëm, ishte i akuzuar për “Fajde”

    Insajderi
    07 August 2024 - 10:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një i burgosur është arratisur mëngjesin e sotëm nga spitali, përkatësisht reparti i Hematologjisë. Ai u dërgua në spital për trajtim nga Qendra e Paraburgimit në Hajvali.

    Gazeta Insajderi mëson se i burgosuri që u arratis është Lorik Xhemshiti.

    Ai së bashku me dy familjarët e tij (nënën dhe vëllain) ishin arrestuar në muajin korrik si të dyshuar për veprën penale “Fajde”.

    Për këtë rast, SHKK ka suspenduar nga puna dy zyrtarë korrektues.

    Insajderi kishte raportuar për arrestimin e tyre.

    Plaka 63 vjeçare dhe dy djemtë e saj arrestohen për fajde, dyshohet se përfituan mbi 100 mijë euro vetëm nga një klient

    Nëna dhe dy bijtë e saj ishin prangosur në një aksion policor, nën dyshimin se të tre janë përfshirë në veprën penale fajde dhe detyrim.

    Miradije Xhemshitit, Lorik Xhemshiti, Valon Xhemshiti, dhe Mergim Zeqiri, janë katër të arrestuarit e këtij aksioni.

    Miradije Xhemshiti nëna e dy djemve: Lorikut dhe Valonit, kishin krijuar një rrjet që sipas dyshimeve kanë pasur për qëllim përfitimin financiar përmes fajdesë dhe detyrimit.

    Por, si kishte ndodhur rasti?

    Miradije, Lorik dhe Valon Xhimshiti, pas vdekjes së burrit – rrjedhimisht babait të tyre, dyshohet se kishin vazhduar aktivitetin e fajdesë.

    Sipas Gjykatës, dy vëllezërit, Lorik dhe Valon Xhemshiti, i kishin dhënë para një personi me fajde. Në pamundësi që ai t’ua kthejë paratë e marra me për qindje të fajdesë, viktimën e kishin dërguar tek Mergim Zeqiri që t’ë merr edhe atje para me fajde dhe ato t’ua kthej këtyre.

    Në momentin kur viktima nuk arriti t’ia kthejë paratë e marra Mergim Zeqirit, dy nga të arrestuarit e vazhdojnë veprën penale.

    Viktimën e dërgojnë sërish për të marrë para me fajde, me qëllim që me ato para t’a shlyejë fajden ndaj Mergim Zeqirit.

    Kësaj radhe vëllezërit Xhemshiti, dyshohet se viktimën e dërgojnë tek nëna e tyre, Miradija.

    Ajo i jep para me fajde, duke i shkaktuar humbje totale financiare viktimës në shumë prej 100 mijë euro.

    E gjithë kjo skemë ishte realizuar deri me datën 11 korrik të këtij viti.

    Në atë ditë viktima me inicialet B. L. kishte vendosur që rastin ta dërgojë në polici.

    Pas hetimeve fillestare dhe mbleshjes së provave, Policia arrin që me datën 19 korrik të realizojë një aksion në katër lokacione në kryeqytet.

    Në aksion u prangosën katër persona, në mesin e tyre të arrestuar mbetën nëna 63 vjecare dhe dy djemtë e saj.

    Por, cila është historia e këtij rasti sipas dosjes së Prokurorisë dhe Gjykatës.

    Në të shpjegohet në detaje se si dyshohet se ka funksionuar ky grup i fajdexhinjve.

    Mënyra se si ata kishin arritur që nga viktimën ta dërgojnë tek njëri-tjetri për ta futur në fajde.

    “Viktima është detyruar që fillimisht të kontraktoj para me fajde nga tani i ndjeri Sh. Xh., prindi i të pandehurve Lorik dhe Valon Xhemshiti, përkatësisht bashkëshorti i të pandehurës Miradije Xhemshiti dhe të pandehurit Lorik dhe Valon të cilët i kishte fqinj dhe atë fillimisht shumën prej 14,000.00€, për të cilat ka pasur t’ua paguaj kamatën mujore në vlerë prej 10% dhe se ka vazhduar të marrë edhe shuma të tjera derisa vlera ka arritur lartësinë prej 80,000.00€, por që në vitin 2021 i dëmtuari me ndihmën e familjarëve të tij të pandehurve jua ka kthyer shumën prej 60,000.00€ duke mbetur në detyrim edhe 20,000.00€”- thuhet në dosjes. Po ashtu dosja tregon pretendimin se si fajdeja u shpërnda tek anëtarët e tjerë të familjes.“Për shkak të presionit nga i pandehuri Lorik, i dëmtuari detyrohet që të shkojë të marrë para me fajde tek i pandehuri Valon (vëllai i Lorikut) dhe atë shumën prej 15,000.00€ me kamate mujore 10% (1,500 euro në muaj) dhe me këtë shumë e paguan Lorikun, por kur i njëjti nuk arrin t’i paguaj kamatat e mbetura tek këta të pandehur, atëherë të njëjtit e njoftojnë me të pandehurin Mërgim Zeqiri dhe përmes presionit e detyrojnë që nga ky i fundit të marrë para me fajdeTë pandehurit, më parë e në vazhdimësi deri më datën 11.7.2024 pa ndërprerë edhe tani, në Prishtinë, në bashkëkryerje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë  financiare të të dëmtuarit B. L., kontraktojnë një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër e cila rezulton me humbje financiare mbi 100,000.00€”

    Si ishte zbuluar e gjithë kjo skemë e fajdesë?

    Pas raportimit që viktima e kishte bërë në polici, hetuesit kishin nisur punën për zbardhjen e rastit. Viktimës i ishte vendosur një përgjues brenda në trup dhe më pas i ishte kërkuar që të takohet me të dyshuarit.

    Takimi kishte ndodhur pak ditë para arrestimit dhe përgjatë bisedës që viktima e bënë me të dyshuarit, zbulohen edhe detaje të reja lidhur me dyshimet se të njëjtit kishin kryer veprat penale fajde dhe detyrim. Njëra ndër fjalët që të dyshuarit i kishin thënë viktimës e që ishte regjistruar nga përgjuesit ishin që “kërkush me zor nuk t’ka shti”. Pas kësaj edhe kishte rezultuar aksioni policor për arrestimin e tyre.

    Ndaj katër të arrestuarve gjykata ka vendosur paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji – vendim që u kundërshtua nga mbrojtja.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me avokaten Merita Bogaj – avokate e Miradije Xhemshitit.

    Avokatja e 63 vjecares nuk ka dashur që të jap informacione, për shkak që sipas saj një gjë e tillë është kërkuar nga klientja e saj.

    Mirëpo, në refuzimin e kërkesës së Prokurorisë për paraburgim ndaj klientes së saj, avokatja e kishte arsyetuar duke thënë se klientja është e shtyrë në moshë.

    Ky ka qenë arsyetimi i avokates së pse gjykata nuk duhet të marrë vendim për paraburgim për klienten e saj, Miradije Xhimshiti.

    /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark