Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 38 të tjerë janë lënduar, sipas të dhënave të para, nga një shpërthim që ka ndodhur në rrugën e njohur Istiklal pranë sheshit Taksim në Istanbul, arsyet e të cilit ende mbeten të paqarta, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas shpërthimit që ndodhi në orën 16:20 sipas kohës lokale, në rajon u dërguan shumë zjarrfikës, policë dhe ekipe mjekësore.
Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të së dielës dhe sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, pesë prokurorë janë caktuar që ta hetojnë këtë ngjarje.
Zona ku ndodhi shpërthimi është evakuuar.
Vëzhguesi i mediave në Turqi ka ndaluar përkohësisht raportimeve e mediave për shpërthimin, që do të thotë se transmetuesit nuk mund të shfaqin video të momentit të shpërthimit apo edhe të momenteve pasuese. Bordi Suprem i Radios dhe Televizionit kishte vendosur ndalesa të tilla edhe në të kaluarën pas sulmeve aksidenteve apo edhe për disa çështje politike.