Një rast i vrasjes në tentativë është regjistruar sot në qytetin e Pejës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, një person ka mbetur i plagosur.
Personi i dyshuari për këtë rast është Brendon Ajazaj. Sipas burimeve të “Sinjalit”, i plagosuri është Uliks Ferizi, i cili ka pranuar trajtim mjekësor pas incidentit.
I dyshuari Ajazaj është i njohur për organet e rendit. Ai ishte arrestuar edhe më 1 nëntor të këtij viti në Prishtinë, pasi ishte kapur në posedim të armës, dhe me atë rast ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rastin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili shtoi se viktima është jashtë rrezikut për jetë.
“Me autorizimin e prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda, policia po grumbullon prova dhe njëkohësisht është duke punuar për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar. Viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Deri më tani, është jashtë rrezikut për jetë,” tha Shkodran Nikçi.