Nazim Pira nga Pozherani humbi jetën përgjatë së martës, pasi siç u bë e ditur nga Policia e Kosovës, tashmë i ndjeri rrëshqit në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij dhe pësoi lëndime fatale në kokë.
Klubi Futbollistik KF Vllaznia Pozheran përmes një telegrami ngushëllimi njoftoi se i ndjeri ishte mbështetës i klubit, shkruan Insajderi.
“Nazim Pira do të kujtohet gjithmonë si një nga mbështetësit më besnikë të KF Vllaznia, duke qenë për disa dekada pranë klubit me dashuri, përkushtim dhe besnikëri të palëkundur. Kontributi i tij si tifoz dhe mbështetja e vazhdueshme për ngjyrat e klubit do të mbeten pjesë e kujtesës sonë”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të klubit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, bëri të ditur se tashmë i ndjeri kishte pësuar lëndime në kokë pasi kishte rrëshqitur nga ballkoni.
“Më datën 21.07.2026, rreth orës 16:30, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, një person mashkull kosovar i vitit të lindjes 1965, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime në kokë. I njëjti me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar është konstatuar se është pa shenja jete. Njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, u shpreh Osmani. /Insajderi.org/