×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ky është rekomandimi i Komunës së Prishtinës për Qeverinë në lidhje me tatimin në pronë

    Insajderi
    31 January 2023 - 19:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përmes një propozimi të kryetarit Përparim Rama, Komuna e Prishtinës të martën i ka rekomanduar Qeverisë dhe Kuvendit që fatura e pagesës së tatimit në pronë të jetë e njëjtë sikur në vitin 2022. Me 30 vota pro, kaluan edhe dy rekomandime të tjera të Ramës në lidhje me tatimin në pronë që do t’i drejtohen institucioneve shtetërore. 

    Rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave javën e kaluar nxiti reagime të shumta në opinion. Në disa zona, veçanërisht në kryeqytet, tatimi në pronë u rrit për 100 për qind. Pas reagimeve, ministri i Financave, Hekuran Murati, e më pas Lëvizja Vetëvendosje, rekomanduan që t’u falen nga 100 euro tatimpaguesve.

    Ky rekomandim nxiti debat të madh në mbledhjen e sotshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, pas propozimit për falje të 100 eurove nga shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla.

    “Kemi të bëjmë me një ligj që parasheh rivlerësimin e pronave. Prandaj po kërkojmë subvencionimin e qytetarëve me këto mjete pasi kemi qëlluar në kohë të vështira”, ka thënë Sveçla.

    Por këtë e kundërshtuan grupet tjera të asamblistëve dhe nuk mori votat e mjaftueshme.

    Nga LDK-ja, asamblisti Amir Simnica ka thënë se një nismë e tillë nuk është në rregull pasi për këtë fajtor nuk është komuna, por qeverisja qendrore.

    Ndërsa, bartësi i listës së asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri ka thënë se kjo kërkesë është joligjore, duke bërë thirrje që raporti të kthehet në Kuvend dhe Ministria e Financave të bëjë rivlerësimin e pronave.

    “Ky është propozim joligjor nga zëdhënësi i Hekuran Muratit në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Është diskriminues. Në lagjet luksoze të ulet norma e tatimit, ndërsa në lagje rreth qendrës të rritet mbi 100 për qind. Raporti duhet të kthehet, të shkojë në Kuvend dhe Ministria e Financave të marrë vendim për rivlerësimin e pronave”, ka thënë Retkoceri.

    Propozimin e VV-së e kundërshtoi edhe AAK-ja e AKR-ja, të cilët thanë se duhet të gjendjet një zgjidhje më e mirë për të ndihmuar qytetarët.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se duhet të ndihmohen njerëzit me skemë sociale dhe të papunët. Më pas, me 30 vota pro, kaluan tri rekomandimet e Ramës për tatimin në pronë.

    Sipas rekomandimit të kreut të Prishtinës, mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të kryer nga Ministria e Financave të fillojë nga data 1 janar 2024, përmes ndryshim/plotësimit të Ligjit për Tatimin në Pronë.

    Rekomandimi i dytë është që ndryshimi i Ligjit për Tatimin në Pronës, sipas pikës 1 të këtij propozimi, ia mundëson kryeqytetit që gjatë vitit 2023 të faturojnë dhe mbledhin tatimin në pronë sipas vlerave të faturimit të vitit 2022.

    Ndërsa, rekomandimi i tretë është se Qeverinë e Kosovës t’ua falë qytetarëve deri në 100 euro për tatim në pronë. Propozimi për 100 euro ndihmë duhet të vijë si subvencion nga Qeveria, sipas rekomandimit të Ramës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark