Policia e Kosovës njoftoi sot për një aksion të zhvilluar nga Njësiti i Krimeve Ekonomike, në Prishtinë lidhur me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Mediumi Indeksonline raporton me burime se zyrtari publik që ka rënë në pranga është Lulzim Bajrami, udhëheqës i divizionit të prokurimit në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.
Siç u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës, personi në fjalë dyshohet të ketë ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme.
Vlera totale e tenderëve në fjalë tejkalon 8.8 milionë euro.
Bajrami është dërguar në mbajtje prej 48-orësh.
Policia ka shoqëruar në stacion edhe dy persona të tjerë, por që të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.