×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ky shtet dhuron pajisje mjekësore me vlerë prej 1 milion euro për spitalet e Kosovës

    Insajderi
    14 September 2022 - 17:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Japonia i ka dalur në ndihmë sistemit shëndetësor të Kosovës duke dhuruar donacion pajisje mjekësore me vlerë prej 1 milion euro spitalet e disa komunave të Kosovës.

    Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me punë në Kosovë nga ky shtet, është shprehur i lumtur për donacionin, i cili do të ndihmojë më tej sektorin shëndetësor në Kosovë.

    “Ne kemi bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar në zhvillimin e këtij vendi, gjë që e kemi filluar që para pavarësisë dhe sektori i shëndetësisë është një nga sektorët prioritare. Jemi të lumtur të vlerësohemi për ndihmat, kemi projekte bashkëpunimi edhe jashtë sektorit shëndetësor, siç e dini, për mjedisin, menaxhimin e grumbullimin e plehrave… dhe të tjerat, dhe do të vazhdojmë tutje. Jemi shumë të lumtur që bashkëpunojmë me popullin dhe qeverinë e Kosovës. Ne kemi marrëdhënie shumë miqësore, kjo është shumë e rëndësishme edhe për ne”, tha ai.

    Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, gjatë ceremonisë së pranimit të një ultrazëri me elastograf në spitalin ‘Dr Sami Haxhibeqiri në Mitrovicë, që ishte vetëm një pjesë e këtij donacioni, tha se ky donacion është një dhuratë jashtëzakonisht e rëndësishme në ndërtimin e kapaciteteve diagnostikuese për spitalet e Kosovës.

    Sipas tij, Mitrovica është zgjedhur për ta pranuar në mënyrë solemne këtë donacion, sepse pikërisht ky qytet ka nevojë për shumë ndihmë.

    “Sot është një dhuratë shumë e rëndësishme e popullit japonez në ndërtimin e kapaciteteve diagnostikuese në spitalin e Mitrovicës, Pejës, Gjilanit dhe Ferizajt. Ne zgjodhëm spitalin e Mitrovicës për këtë përurim për shkak se spitali i Mitrovicës ka nevojë për shumë ndihmë, ndihma materiale, të kuadrove dhe ndihma tjera, prandaj erdhëm këtu”, ka thënë Latifi.

    Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Pranvera Zejnullahu-Raçi, u.d. e drejtoreshës së ShSKUK-së, si dhe shumë punëtorë shëndetësorë të spitalit në Mitrovicë. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark