Mbretëria e Bashkuar ka publikuar sot një dokument zyrtar, përmes të cilit ka vendosur në “listë të zezë” një numër personash nga Kosova, për shkak të dyshimeve për përfshirje në migracion të parregullt, trafikim të personave dhe prodhim të dokumentacioneve të falsifikuara, përfshirë pasaporta dhe patentëshoferë.
Në këtë listë përfshihet edhe rasti i njohur si “Laboratori i Rrjetit Krasniqi”, që lidhet me aktivitetet e rrjeteve të kontrabandës në Ballkanin Perëndimor.
Lidhur me këtë zhvillim, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar pas vendimit të autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për vendosjen e sanksioneve në kuadër të Regjimit Global të Sanksioneve kundër Migracionit të Parregullt, që ka për qëllim goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar të imigracionit në rajon.
Në njoftimin e saj, Prokuroria ka theksuar se rasti po trajtohet me prioritet dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet partnere për ndjekjen e aktiviteteve të paligjshme.
“Prokuroria Speciale mbetet një aktore konstruktive dhe e besueshme në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, si dhe në promovimin e sigurisë dhe drejtësisë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në reagimin e institucionit.