
Dy ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, ka shprehur skepticizëm lidhur me mundësinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në këtë seancë, raporton Insajderi.
Seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit pritet të mbahet të martën, më 15 prill, pas zgjedhjeve nacionale të zhvilluara më 9 shkurt. Në këtë seancë, përveç konstituimit, pritet të propozohet edhe emri për kryetar të Kuvendit, i cili më pas do të votohet nga deputetët.
Në një intervistë , Brahimaj deklaroi se, sipas rregullores, propozimi për kryeparlamentar i takon partisë fituese të zgjedhjeve – në këtë rast, Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, ai nuk beson se kjo parti do t’i ketë numrat e mjaftueshëm për ta kaluar kandidatin e saj në votim.
“Fillimisht, në seancë zhvillohet procesi i konstituimit të Kuvendit, që i takon partisë së parë – pra, Lëvizjes Vetëvendosje. Më pas propozohen nënkryetarët e Kuvendit dhe mandej vjen radha për propozimin e një emri për kryetar. Nëse Vetëvendosje bën një propozim, formalisht e përmbush detyrën, por mendoj se aty do të përfundojë seanca, sepse nuk i kanë votat për ta zgjedhur kryetarin,” theksoi ai.