
“Nuk mendojmë për ceromoninë e nënshkrimit”.
Kështu tha Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pyetur se mund të pritet që takimi të hënës i Niveli të Lartë në Bruksel të prodhojë marrëveshje mes palëve, shkruan Insajderi.
Megjithatë, për takimin e së hënës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “e dinë çfarë pritet prej tyre”, tha Lajçak për “The Pavlovic Today”.
Këtë gjë përveç Përfaqusesit të Lartë të BE’së Josep Borell, Kurtit dhe Vuçiqit ia kanë thënë edhe Kancelari Federal Gjerman, Olaf Scholz, dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë takimeve në Konferencën e Sigurisë në Mynih, tregoi ndërmjetësi sllovak.
“Ata kanë dëgjuar shumë qartë se çfarë pritet, çfarë pret Bashkimi Evropian prej tyre dhe Shtetet e Bashkuara, sepse Shtetet e Bashkuara e mbështesin shumë fuqishëm këtë propozim”, shpjegoi ai.
“Ata gjithashtu e dinë që bashkësia ndërkombëtare po shikon shumë nga afër, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara në radhë të parë. Pra, ky takim ndoshta do të shikohet me vëmendjen më të madhe ndonjëherë në historinë e marrëdhënies së tyre personale dhe dialogut tonë. Unë uroj që ne do të jemi në gjendje të prodhojmë një lajm të mirë nga ky takim. “
“Ne kemi një propozim dhe pastaj ka një pjesë implementuese. Ne thamë se presim miratimin e propozimit dhe presim angazhim në pjesën e zbatimit, bazuar në propozimin që kemi bërë”, ka thënë Lajçak, përcjell Insajderi.
“Por sigurisht, ne gjithashtu i ftuam ata liderë të vijnë me sugjerime realiste dhe konstruktive për këtë pjesë të dokumentit”.
Në rend të parë, Lajçak tha se të hënën “presim që të dy liderët publikisht ta pranojnë propozimin”.
“Ajo që do të jetë në rend dite është propozimi. Dhe propozimi gjithashtu përmban nivelin e duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Dhe gjëra të tjera”, tha ai.
“Ne presim që ata të miratojnë dokumentin që ka një referencë shumë të qartë për këtë dhe presim që ata të flasin se si ta zbatojnë atë,” shtoi Lajçak./Insajderi/