Paris Saint-Germain ka marrë një lajm të keq para përballjes me Barcelonën në Ligën e Kampionëve, pasi mbrojtësi portugez Nuno Mendes do të mungojë për disa javë për shkak të një lëndimi.
Mendes u lëndua në ndeshjen e fundit të PSG-së kundër Strasbourgit, të zhvilluar të shtunën në kuadër të Ligue 1. Mbrojtësi u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, por u detyrua të largohej nga fusha në minutat e fundit të takimit, pasi ndjeu shqetësime në kofshën e majtë.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, kishte bërë të ditur pas ndeshjes se nuk dëshironte të rrezikonte me gjendjen fizike të futbollistit. Për shkak se skuadra i kishte shfrytëzuar të gjitha zëvendësimet, parisienët e përfunduan takimin me dhjetë lojtarë.
Mungesa e Mendesit përbën një shqetësim për kampionët francezë, të cilët të martën, më 20 tetor, do të përballen me Barcelonën në kuadër të Ligës së Kampionëve. Portugezi është një nga lojtarët e rëndësishëm në repartin defensiv të skuadrës së Enriques.
PSG-ja vjen në këtë përballje pas fitores 3-1 ndaj Strasbourgit, ku golat për parisienët i shënuan Illia Zabarnyi, Ousmane Dembélé dhe Désiré Doué.
Tashmë, trajnerit Luis Enrique i duhet të gjejë një zgjidhje për krahun e majtë të mbrojtjes, në një ndeshje ku PSG-ja synon të vazhdojë ecurinë pozitive në garën evropiane. /Insajderi.org/