×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Lajmërohet Bujar Shabani i Bagerit: Ia kam pa sherrin Hysen Durmishit

    Insajderi
    10 August 2023 - 17:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Ia kam pa sherrin Hysen Durmishit” – Zakonisht shokut të mirë ia she hajrin, por kjo nuk po ndodh edhe në miqësinë mbi 20 vjeçare të dy miqve, biznesmenit të shumëpërfolur, Bujar Shabanit dhe zëvendës ministrit Hysen Durmishi.

    Biznesmeni ferizajas po thotë se nga miqësia disa vjeçare që ka me Durmishin ka pas vetëm “sherr”. Ndryshe nga raportimet e Gazetës Insajderi që kanë faktuar se si Shabani ia ka parë “hajrin” zv- ministrit Durmishi duke përfituar tenderë milionëshe përmes kompanisë “Bageri” që është në pronësi të tij. Madje ai në një bisedë me Insajderin e konfirmon se për tri vite ka përfituar rreth 11-12 milionë euro kontrata. Por, duket që nuk po i mjaftojnë.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar të enjten biznesmenin ferizajas, Bujar Shabanin i cili u shpreh se i kanë rënë përfitimet përmes tenderëve që nga ardhja në pushtet e shokut të tij Hysen Durmishit.

    Sherrin ia kam parë Hysen Durmishit, kur s’ka qenë ai i kam marrë 36 milionë kontrata në ministri tash i kom 10 -11 milionë kontrata” , tha ai.

    Tutje, Shabani tregon se kompania e tij e ndërtimit “Bageri” është në treg që 37 vite me mbi 350 punëtor. Sipas tij, më shume ka përfituar kontrata para ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje se sa tani.

    Ai publikisht ka thënë që e kam shok. Prej 2001’tes e njoh. Që 23 vite e kam shok. Kompania “Bageri” është prej 86’tes prej moshës 18 vjeçare e kam hap këtë firmë. Sot i kam 350 makina të rënda operojnë që 37 vite këtë punë e  bëj. Unë pa kon Hysen Durmishi hiç unë kom marr deri në 36 milionë kontrata dhe i kam 360 punëtorë. Kur s’ka qenë Hysen Durmishi unë kam marrë. Sherrin ia kam parë Hysen Durmishit, kur s’ka qenë ai i kam marrë 36 milionë kontrata në ministri tash i kom 10 -11 milionë kontrata” ka thënë ai në një bisedë për Insajderin.

    Raportimet e Gazetës Insajderi për përfitimet e tenderëve milionëshe nga kompania “Bageri”

    Kompania ‘Bageri’, miqësinë me të cilën nuk e fsheh publikisht, Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës ishte shpërblyer nga ky dikaster qeveritar me një tender prej më shumë se 8.6 milionë eurosh. Në po këtë tender, mbi 8.4 milionë euro të tjera i ka marrë firma “A2 group” një tenderues i madh i kohës së PAN-it.

    “Nuk e mohoj se e njoh. Unë jam inxhinier dhe i njoh inxhinieret që janë pronarë firmash. Të ju them të drejtën kompania Bageri ka konkurruar për tenderin 5 milion euro. Për një lot të mirëmbajtjes se autostradës. E ka humbur”, pati deklaruar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi afro një vit më parë.

    Ato ditë kur kompania ‘Bageri’, i humbte tenderët kanë kaluar. Ka hyrë në listën e fituesve.

    Në janar të këtij viti kjo ministri, që shef kryesor e ka Liburn Aliun, kishte nisur një tender për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Afro katër muaj procedura, dhe më në fund ata kanë ardhur në një listë se kë ta shpërblejnë në këtë tender që është parashikuar ta ketë vlerën mbi 38 milionë euro.

    Në njoftimin që ka bërë kjo ministri, i nënshkruar më 30 maj, 2023, bëhet me dije se për këtë rrugë që është ndarë në disa pjesë, mbi 8.6 milionë euro shkojnë tek ‘Bageri’.

    Ministria e Infrastrukturës ka listuar si grup të kompanive të suksesshme për “Lotin 2” grupin e përbërë nga “Bujar Shabani B.I”, “Kosova Asphalt”, “Bageri-1 shp.k” dhe “El-Bau Shpk”.

    Në po këtë tender, mbi 8.4 milionë euro të tjera i ka marrë firma “A2 group” një tenderues i madh i kohës së PAN-it.

    Në listën e këtij tenderi mbi 38 milionësh, bëhet me dije se 8.4 milionë i merr grupi i kompanive “A2 group” dhe “Vega shpk”. E para është pronë e biznesmenit Valon Ademi.

    Telashet e “Bagerit” me ligjin

    Kjo ministri e ka shpërblyer kompaninë “Bujar Shabani B.I. dhe “Bageri” ani pse pronari i saj tashmë po përballet me një proces gjyqësor, nën akuzën që ka falsifikuar dokumente dhe ka bërë deklarim të rremë nën betim për një tender në komunën e Lipjanit.

    Siç ka raportuar Insajderi, bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, i cili kap vlerën e 734 mijë eurove.

    Sipas të gjeturave të AVONET, kompania Bageri në këtë prokurim publik ka aplikuar me dokumente të falsifikuara, shkruan Gazeta Insajderi. Prokuroria vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër biznesmenit Bujar Berisha për mashtrime në tenderët publikë.

    Në aktakuzë janë përfshirë dy tenderë publikë në të cilat mori pjesë biznesmeni Shabani me kompaninë e tij Bageri.

    Bëhet fjalë për tenderin 4.7 milionësh të Komunës së Ferizajt për asfaltimit të rrugëve në fshatin Jezerc, por Bageri dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër: Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi. Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro.

    Milioneri Shabani dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet këtyre mashtrimeve me kontratat publike. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark