×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Shoku i ngushtë multimilioner i Hysen Durmishit rrezikon dënimin me burgim

    Insajderi
    19 July 2022 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër biznesmenit të shumëpërfolur për afërsinë me zëvendës ministrin Hysen Durmishi. Ai akuzohet për mashtrime në tenderët publikë. Ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit. Gazeta Insajderi, ka siguruar dosjen e plotë të këtij rasti të mashtrimit.

    Askush nuk e kishte vërejtur praninë e Hysen Durmishit në fshatin Jezerc të Ferizajit, më 4 shtator të vitit 2020. Rrinte qosheve në një ngjarje publike. Por, nuk kishte as pozitë të lartë shtetërore që të ishte në fokus të kamerave.

    Prania e tij në ngjarje të tilla do të bëhej e rëndësishme tek pas dy viteve. Tash si zëvendës ministër i Mjedisit e Infrastrukturës, një prej dikasterëve më të rëndësishme shtetërore.

    Aty ishte bashkë me biznesmenin Bujar Shabani, pronarin e shumëpërfolur të kompanisë “Bageri”. Durmishi është akuzuar tërë kohën se ka qenë zyrtar në kompaninë “Bageri”. Por, zëvëndës ministri e ka mohuar. Ka thënë se me afaristin Shabani ka shoqëri që nga viti 2000.

    Ngjarja publike ku kishte marrë pjesë Durmishi kishte të bënte me përurimin e asfaltimit të rrugëve në fshatin Jezerc. Tenderin 4.7 milionësh të Komunës së Ferizajit për ta kryer këtë punë e kishte fituar firma “Bageri”.

    Pamjet ku shihet Durmishi e biznesmeni Shabani duke pritur kryetarin e Ferizajit Agim Aliun nuk do të mbahen mend vetëm për faktin që dëshmojnë afërsi të një afaristi të dyshimtë me një figurë qëndrore të Vetëvendosje. Por, do të jenë në fokus të publikut edhe për diçka tjetër.

    E tërë mënyra se si kishte arritur Bujar Shabani që ta fitonte këtë tender është pjesë e një aktakuze. Dyshohet se rruga e përuruar më 4 shtator të vitit 2020, ku i pranishëm ishte edhe Durmishi, ka pasë vetes një histori të madhe mashtrimi.

    Për këtë është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Ferizajit. I është dërguar Gjykatës Themelore të Ferizajit më 26 prill të këtij viti.

    Ky tender emërtohet “Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc”. Peshon 5 milionë e 200 mijë euro.

    Dosja kundër Shabanit është ende më e trashë. Jo vetëm tenderi prej 4.7 milionësh, por i njejti dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër “Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi”. Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro. Këtë tender nuk kishte arritur ta fitonte.

    Prokurorja e rastit ka kërkuar nga gjykata që biznesmeni Shabani të dënohet për veprën penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik nga neni 415 paragrafi 1 të KPRK-së”. Ky dënim parasheh dënim me gjobë apo me vite burgim deri në pesë vjet.

    Po ashtu, prokurorja ka kërkuar nga Gjykata e Ferizajit që biznesmeni Shabani për shkak të mashtrimeve të përjashtohet nga pjesëmarrja në tenderët publik, në të ardhmën.

    Gazeta Insajderi ka siguruar aktakuzën. Aty tregohet se cilat janë manipulimet që kishte bërë Shabani për ta fituar tenderin mbi afro 5 milionësh, sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajit.

    Mashtrimi ndaj inxhinierit që jeton në Norvegji dhe zyrtares së Komunës së Ferizajit

    Inxhineri Arben Vranovci që jeton në Norvegji kishte ngritur një kallëzim penal kundër Bujar Shabanit në prill të vitit 2021.

    Aty kishte rrëfyer se çfarë kishte ndodhur para dy viteve, më 2019, kur firma “Bageri”, kishte arritur të fitonte dy tenderë të majmë vlera e përbashkët e të cilëve kalon tetë milionëshin.

    Ai kishte treguar se në vitin 2009 ishte kontaktuar nga biznesmeni Shabani për mundsinë e angazhimit në kompaninë e tij. Kishte bërë një marrëveshje gojore që të angazhohej si ekspert i jashtëm, meqë nuk jetonte në Kosovë. Shabani kishte kërkuar nga ai që t’ia dërgonte diplomën e tij. Vranovci e kishte bërë këtë.

    Për një vit të tërë Shabani nuk e kishte angazhuar në asnjë projekt. I kishte bërë një telefonatë pas një viti, më 2020.

    “Arben prej tani kompania jonë nuk ka nevojë për shërbimet e tua profesionale dhe këtu përfundon marrëveshja jonë”, i kishte thënë biznesmeni Shabani inxhinierit Vranovci, sipas aktakuzës.

    Ndërkohë, Vranovci kishte marrë informata se diploma e tij ishte përdorur nga Shabani në disa projekte.

    Meqë kishte qenë në pushime në Kosovë, kishte shkuar ta takonte Shabanin në zyrën e kompanisë “Bageri”, në Lipjan.

    E kishte pyetur Shabanin për informatat që kishte pranuar. Biznesmeni e kishte mohuar.

    “…diploma juaj nuk është përdorur sepse firma “Bageri” ka edhe pesë inxhinier tjerë, ka mundur të bëhet ndonjë lëshim kur ti ke qenë si bashkëpunëtor i jashtëm apo si sekondar dhe është futur në dosje që kërkesa e firmës të jetë më serioze dhe se nuk kemi pas asnjë arsye që ta përdorim diplomën tuaj”, i kishte thënë Shabani.

    I njejti i kishte kërkuar inxhinierit Vranovci që ta vazhdonin bashkëpunimin. Vranovci kishte pranuar. Kësaj radhe kishte kërkuar që të bëhej marrëveshje me shkrim, jo vetëm gojore.

    Shabani e kishte pranuar këtë kusht. Mirëpo, situata nuk kishte ndryshuar aspak. Shabani ishte sjellë njejtë me të. Nuk e kishte kontaktuar asnjëherë inxhinerin Vranovci për ta angazhuar, ndërkaq tinëz ishte përdorur diploma e tij në tenderët multimilionësh.

    Me të zbuluar këtë, Vranovci nuk kishte biseduar më me Shabanin. Ishte nisur për ta denoncuar në Prokurorinë Themelore të Ferizajit.

    Viktimë tjetër e Shabanit ishte edhe gjeodetja Violeta Aliu-Bislimi.

    Ajo kishte pasur një marrëveshje me kompaninë “Bageri” që të angazhohej si inxhiniere e përcjellës së projekteve nga vitit 2017 deri në vitin 2019.

    Kishte lënë punën në këtë kompani meqë ishte punësuar si zyrtare në Komunën e Ferizajit.

    Me tu punësuar në komunë licenca e saj ishte pezulluar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Një udhëzim administrativ i AKK-së obligon pezullimin e licencës së gjeodetit përgjatë kohës sa i licencuari kryen punë tjetër në institucione publike.

    Ajo nuk kishte qenë në dijeni se biznesmeni Shabani kishte përdorur licencën e saj si gjeodete.

    Po ashtu,  ajo licencë nuk mund të përdorej nga askush pasiqë ishte e pezulluar nga AKK-ja.

    “Sa i përket përdorimit të dokumentacionit të saj nga ana e kompanisë Bageri për të ofertuar në projekte tenderuese pas shkëputjes së kontratës-marrëveshjes, që ka të bëj me shkollimin pra diplomat, CV-të, referencat si dhe kontratën e lidhur mes tyre, e njëjta ka deklaruar se nuk ka qenë fare në dijeni”, thuhet në aktakuzë.

    Versioni i shokut multimilioner të Hysen Durmishit

    Prokurorja e rastit ka intervistuar edhe multimilionerin Shabani. Ai ka mohuar kryerjen e mashtrimeve.

    Ai ka pretenduar se ka pasur të drejtë që të bëjë aplikim me dokumente të Violeta Aliu-Bislimit, pasiqë sipas tij ajo ishte punonjëse e kompanisë “Bageri”, në kohën kur është konkurruar në këta tenderë.

    “Nuk më kujtohet që kemi bërë shkëputje të kontratës me shkrim me Violetën e as që jemi njoftuar gojarisht lidhur me këtë”, ka pohuar Shabani duke “harruar” se Aliu-Bislimi e ka të ndaluar ligjërisht që të jetë e punësuar edhe në Autoritetin Kontraktues edhe në firmën tenderuese. Aliu-Bislimi ka mohuar versionin e Shabanit, duke pohuar se ka dhënë dorëheqje zyrtare nga “Bageri”.

    Për inxhinerin Arben Vranovci ka pohuar se ka qenë zyrtar i kompanisë “Bageri”, dhe se ka kontrata të nënshkruara me të.

    Kur është pyetur për pretendimet e Vranovcit për mashtrim, Shabani ka pohuar se “detajet nuk i di ngase janë kompani e madhe. Dhe kemi vëllim të madh të punëve”.

    Versioni i biznesmenit Shabani nuk e kishte fituar besimin e prokurorës së rastit.

    “… gjykata nuk duhet falë besimin mbrojtjes së të pandehurit ngase një mbrojtje të tillë i njëjti e ka paraqitur vetëm sa për t’iu shmangur përgjegjësisë së tij penale për faktin se gjendja faktike si në dispozitiv të akuzës vërtetohet me deklaratat e të dëmtuarve në cilësi të dëshmitarëve e të cilat janë elaboruar më lart, e po ashtu edhe me provat materiale”, thuhet në aktakuzën kundër shokut multimilioner të Hysen Durmishit. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark