Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.
Kjo shumë do të shumëzohet me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe prodhon vlerën e pagës.
Nivelet e koeficientëve mund t’i gjeni këtu.
Ndryshe, Ligji për Pagat në Sektorin Publik është hedhur në votim dhe miratuar nga deputetët pa e ditur vlerën e koeficientit, e madje edhe është dekretuar si i tillë nga Presidentja.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë paralajmëruar se Ligji do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, nëse u ulen pagat.
“Nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vite gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme. Për fat të keq deri tani nuk kemi një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e pagave, megjithatë pavarësisht kësaj. Gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.”, ka deklaruar Kryesuesi i KGJK’së, Albert Zogaj.
Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë këtë Ligj në Kushtetuese, pikërisht për punën e koeficientit, raporton Express.
“Në rastin e ligjit për pagat, është bërë në mungesë totale të transparencës për shkak se sot është votuar ligji i pagave, por askush në Kosovë nuk e di se sa e ka pagën. Sot askush nuk e di se nëse është rritë apo zvogëluar paga e tij”, kishte deklaruar Përparim Gruda nga PDK.
Kush do të paguhet më së shumti?
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Me Ligjin për Paga parashihet që Presidentja e Kosovës ta ketë pagën më të madhe në vend, me koeficient 18. Pas saj radhitet Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5.
Paga e kryeministrit është paraparë ta ketë koeficientin e njëjtë me atë të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të shtetit, me koeficient 17.
Shefi dhe zëvendësshefi i Stafit në Presidencë do ta ketë koeficientin 13. Shefi i Stafit në Zyre të Kryeministrit dhe Kuvendin e Kosovës me koeficient 12.5. Këshilltarët politik me koeficient mbi 10.
Pozita e Komandantit të FSK-së është parapa të paguhet me koeficient 15, ndërsa koeficientin 15.5 do ta ketë pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës pritet ta ketë koeficientin 14.5. Ndërsa në Shërbimin Korrektues të Kosovës, udhëheqësi i pavionit është parapa ta ketë koeficientin 7.3.
Rektori do ta ketë koeficientin 14.2, dekani 12.8 dhe profesori i rregullt 12.4. Drejtori i Shkollës së Mesme të lartë 6.4 dhe mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Lartë 5.8. Mësimdhënësi në Shkollë fillore dhe të Mesme të Ulët 5.6, Mësimdhënësi në institucionet parashkollore 5.2 dhe edukatorët 5.
Pozita e Drejtuesit në Shëndetësi është 12.4, Mjek specialist 12, Mjek në Specializim 8, Mjek i përgjithshëm, Stomatolog, Farmacist 7.4, Laborant, Infermier, Mami, Teknik mjekësor, Teknik farmacist, 5.6.
Ambasadori do ta ketë koeficientin 10.
Kryetari i kryeqytetit do ta ketë koeficientin 15, ndërsa kryetarët e komunave do ta kenë koeficientin në bazë të numrit të banorëve që ka komuna. Për shembull komuna që ka mbi 100 mijë banorë, kryetari i saj do ta ketë koeficientin 13.
Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.