Insajderi
Lajme

LDK del me njoftim: Ka nisur një luftë hibride me profile false kundër nesh

Insajderi
10 May 2026 - 16:44
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
LDK del me njoftim: Ka nisur një luftë hibride me profile false kundër nesh
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar me shqetësim lidhur me atë që e cilëson si “sulm të organizuar kibernetik” dhe “fushatë të koordinuar të manipulimit digjital” ndaj komunikimit publik të kryetarit të partisë dhe thirrjes së tij për Tubimin e Bashkimit.

LDK-ja thotë se brenda pak minutash mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në rrjetet sociale, me qëllim – siç thuhet – deformimin e perceptimit publik dhe krijimin e një atmosfere të rreme refuzimi e polarizimi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmin e organizuar kibernetik dhe fushatën e koordinuar të manipulimit digjital ndaj komunikimit publik të Kryetarit të LDK-së dhe thirrjes së tij për Tubimin e Bashkimit. Brenda pak minutash, mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në platformat sociale, në një përpjekje të qartë për të deformuar perceptimin publik, për të ulur artificialisht besueshmërinë e komunikimit politik dhe për të krijuar atmosferë të rreme refuzimi e polarizimi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo parti.

LDK u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që “të jenë të vetëdijshëm se kjo pritet të jetë një nga strategjitë kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore: rrënimi i kredibilitetit përmes manipulimit digjital, propagandës së organizuar dhe ndërhyrjeve hibride në opinionin publik”.

“Kjo nuk është më një garë normale politike. Kjo është një përpjekje për ta zëvendësuar debatin demokratik me operacione psikologjike e propagandistike në hapësirën digjitale”, thuhet në reagim.

LDK-ja tha se “dënon ashpër çdo ndërhyrje të tillë dhe rithekson se vullneti qytetar nuk mund të manipulohet nga ushtri profilesh false, rrjete anonime apo mekanizma propagande”.

“Kosova ka nevojë për zgjedhje të lira, debat të ndershëm dhe standard demokratik; jo për luftë hibride kundër mendimit të lirë dhe organizimit politik opozitar”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark