Degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë kanë fajësuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për vdekjen tragjike të dy fëmijëve të cilët humbën jetën të enjten pasi ranë në një gropë në lagjen Kolovica.
Sipas LDK-së, Ahmeti do të duhej të kërkonte falje dhe të jepte llogari për ngjarjen dhe jo të lë fajtore qeverisjen e kaluar komunale.
“Për dijeninë e qytetarëve të Prishtinës dhe gjithë Kosovës, ndërtimi i rregës në atë lagje ka përfunduar në pranverën e vitit 2013 dhe masa e dheut dhe gurëve të hequr ishte sa një parking për 4-5 vetura. Në vitin 2014 nga vërshimet është dëmtuar ajo rruge. Në atë kohë, vet komuna e Prishtinës ka angazhuar kompani për të marrë material guror në këtë hapësirë, për të sanuar gjendjen e rrugëve pas vërshimeve”, thuhet në një komunikatë të dërguar nga kjo parti.
LDK pretendon se më 26 tetor 2015, Komuna e Prishtinës shpall fituesin e tenderit për ndërtimin e mureve mbrojtëse po në ketë rrugë, pas dëmtimit nga vërshimet dhe gjatë realizimit të këtij projekti është marrë material në atë pronë dhe se “eksploatimi i materialit në ketë pronë ka vazhduat pa ndërprerë pikërisht nga kompanitë e ndërtimit të rrugëve të kontraktuara nga komuna e Prishtinës gjatë dy-tri viteve të fundit”.
“Degët e LDK-së, i bëjnë thirrje kryetarit të Komunës dhe autoriteteve lokale, të mos merren me politika globale dhe nacionale, por të kryejnë detyrat e parapara me ligj, përndryshe po rrezikohet për çdo ditë jeta e qytetarëve. Po të respektohej ligji dhe përgjegjësitë e pushtetit lokale, sot Prishtina nuk do të ishte në zi, për vdekjen e dy fëmijëve të pafajshëm”, përfundon komunikata./Insajderi.com