Mbledhja e partisë së kryeministrit Isa Mustafa, ka qenë e fokusuar vetëm në një çështje: zgjedhja e Hashim Thaçit president.
Insjaderi merr vesh nga dy pjesëmarrës në mbledhjen e partisë së LDK-së, që kryeministri Isa Mustafa së bashku me kryesinë e partisë së tij, kanë diskutuar mbi procesin e zgjedhjes së presidentit, që është pjesë e kushteve të marrëveshjes së koalicionit me PDK-në e Hashim Thaçit.
“Më saktësisht është diskutuar për sigurimin e votave të të gjithë deputetëve të LDK-së që do t’ia siguronin postin e presidentit Hashim Thaçit, përndryshe prishet koalicioni”, ka thënë burimi i pranishëm në takim.
Partia e kryeministrit Isa Mustafa ka dërguar një komunikatë për media nëpërmjet së cilës ka lajmëruar se kryesia e partisë ka mbajtur një mbledhje të rregullt në të cilën kanë diskutuar për siç thuhet “proceset kryesore politike në vend”.
Respektimi i marrëveshjes është përmendur tërthorazi edhe në komunikatën e LDK-së, ku thuhet se “kryesia e LDK-së vlerësoi se është e domosdoshme që të gjitha forcat politike të veprojnë në bazë të Kushtetutës, të frymës institucionale dhe të punojnë për interesin e Kosovës e të qytetarëve të saj, duke tejkaluar interesat e ngushta partiake e personale”.
Gjithashtu sipas kësaj komunikate për media, LDK ka diskutuar edhe “për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës” që drejtohet nga kryetari i partisë Isa Mustafa i cili thuhet se e ka njoftuar kryesinë e partisë për “proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova”.