Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës thotë se Shpend Ahmeti po mundohet të mbulojë dështimet e tij politike të dy vjeçarit të kaluar me anë të hapjes së debateve të reja.
Ata e akuzojnë të parin e Prishtinës dhe Lëvizjen Vetëvendosje për “marrjen” e lokacionit ku ishte projektuar selia e re e LDK-së në Prishtinë. Këtë lokacion që Ahmeti tanimë ka kërkuar që t’ia ndajë Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, raporton Insajderi.
“VV dhe udhëheqja dështuese e saj tani e sa kohë, e mbetur pa “kauza” të reja, po bën përpjekje me çdo kusht që të hapë debat dhe “front ri”, kësaj radhe me diçka që kalon kufijtë e Republikës së Kosovës. Kërkesa e udhëheqjes së Komunës që me vendim të Kuvendit të Prishtinës, sot të merret lokacioni për ndërtimin e objektit të selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të caktuar vite më parë dhe e pajisur me leje ndërtimi, është kërkesa më perverse dhe e shëmtuar e një udhëheqjeje”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK thotë se fatkeqësisht, konceptimi i këtillë qeverisës nga VV dhe udhëheqja e Prishtinës që me politika përçarëse të arrijë të implikojë Ambasada e Ambasadorë, tregon për gjendjen kaotike, për shmangien nga të gjitha kriteret dhe parimet e sjelljes ndaj rivalëve politikë, kundër bashkëpunimit dhe kundër etikës politike e njerëzore.
“LDK në Prishtinë konsideron se turpi i Shpend Ahmetit nuk do t’i bjerë askujt, pos atyre që ndjellin përçarje, përjashtime dhe bëhen argatë të politikave dështuese”, përfundon reagimi i LDK-së së Prishtinës. /Insajderi.com