×
  • Lajme
  • Lajme

    “Le Figaro”: Thaçi akuzohet, Bernard Kouchner – dëshmitar  

    Insajderi
    09 March 2016 - 08:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    E përditshmja franceze “Le Figaro” thotë se Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi ka gjasa të akuzohet nga Gjykata Speciale.

    “Emri i presidentit Hashim Thaçi i cili duhet ta marrë funksionin në prill është lakuar në fund të vitit 2010 në raportit e Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori zvicërian Dick Marty”, nënvizon artikulli i botuar të martën, raporton Insajderi.

    Prestigjiozja franceze citon ish-shefin e Policisë së UNMIK-ut, kapitenin kanadez Stu Kellock, që gjatë një intervistë për televizionin shtetëror serb kishte deklaruar se kishte dyshime që qarkullonin mbi Hashim Thaçin, por “se ai gëzonte pandëshkueshmëri”.

    “Ishte shumë e qartë se Thaçi ishte i përzgjedhuri dhe që nuk do të akuzohej për aktivitetet e tij kriminale. Megjithatë, ai kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në grumbullimin e haraçit, kontrabandën e drogës, femrave, armëve dhe kontrabandat e të gjitha llojeve”, shpjegonte ai.

    “Le Figaro” rikujton se Nazim Bllaca, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, është dënuar me katër vjet burg, pasi që ka treguar për vrasjen e shumë kundërshtarëve politik, në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës, tw drejtuar deri tash prej Hashim Thaçit.

    I pyetur së fundi nga Agjencia France-Presse, presidenti i ri i Kosovës ka deklaruar se “nuk ka asgjë për të fshehur”, duke shtuar se “lufta e Kosovës dhe UÇK ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër, e që askush nuk mund ta rishkruajë historinë”.

    Sipas gazetës franceze, procedura rrezikon të jetë e vështirë, marrë parasysh presionet e shumta që janë ushtruar ndaj dëshmitarëve gjatë gjykimeve paraprake ndaj pjesëtarëve të UÇK. Prokurori amerikan Clint Williamson ka pohuar se hetimet kishin rezultuar në “dëshmi bindëse » që kërkojnë ngritjen e akuzave nga ish-komandantëve të gueriljes shqiptare.

    “Një procedurë e tillë mund të përfshijë edhe dëshminë e Bernard Kouchner. Si shef i misionit të Kombeve të Bashkuara më 1999-2001, ai është akuzuar vazhdimisht se ka mbyllur sytë mbi vrasjet e kryera nga UÇK”.

    “Nuk mund të pohojë se Kouchner kishte njohuri për trafikun e organeve, por është e pamundur që ai nuk kishte informata mbi krimin e organizuar në Kosovë. Shefi i policisë e njoftonte rregullisht dhe mediat i parashtronin shumë pyetje lidhje me këtë çështje”, kishte thënë ish-komandanti i policisë i UNMIK-ut, Stu Kellock.

    Bernard Kouchner ka mohuar gjithnjë se ka mbrojtur pandëshkueshmërinë e drejtuesve të gueriljes shqiptare. I pyetur nga një gazetar serb në mars 2010, gjatë një vizite në Kosovë në cilësinë e Ministrit francez të Punëve të Jashtme, ai ishte përgjigjur: “Dukem unë si njeri që shes organe?  (…) Njerëzit që thonë kështu janë horra dhe vrasës”, përfundon “Le Figaro”./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    24 July 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark