Insajderi
Op-Ed

Legjislacioni Evropian, Ekstremizmi digjital dhe inteligjenca artificiale – fronti i ri i terrorizmit

Insajderi
02 December 2025 - 19:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Legjislacioni Evropian, Ekstremizmi digjital dhe inteligjenca artificiale – fronti i ri i terrorizmit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Përktheu nga Arabishtja: Zyhdi Hajzeri – Jurist dhe anëtar i Qendra Evropiane për  Luftë kundër Terrorizmit dhe Studime te Inteligjencës – Gjermani dhe Holandë (ECCI)

Erdhi teknologjia moderne si një element kryesor në strategjinë e grupeve ekstremiste. Me shfaqjen e inteligjencës artificiale dhe inteligjencës artificiale gjenerative, këto grupe shfrytëzuan përparësitë e teknologjive të reja për të rekrutuar anëtarë të rinj dhe për të zhvilluar mekanizmat e propagandës, sidomos në dritën e forcimit të mbikëqyrjes dhe masave të sigurisë kundër diskursit ekstremist dhe veprimtarisë së grupeve “xhihadiste” dhe rrymave të ekstremit të djathtë në hapësirën elektronike gjatë viteve (2023–2024).

Internetit si platformë për rekrutim dhe ekstremizim
Raporti i Bashkimit Evropian për terrorizmin i vitit 2025, i publikuar nga Europol, sqaroi rreth kategorive të synuara për rekrutim dhe tërheqje. Raporti theksoi se kërcënimi në rritje i terrorizmit buron nga komunitetet online që nxisin dhunën dhe nga shfrytëzimi i një game të gjerë teknologjish nga ekstremistët.
U rrit numri i adoleshentëve dhe të rinjve të përfshirë në aktivitete terroriste në Evropë gjatë vitit 2024. Grupet ekstremiste u fokusuan në tërheqjen e të rinjve dhe përhapjen e propagandës përmes platformave të rrjeteve sociale, forcimin e përmbajtjes së drejtuar nga algoritmet për idetë ekstremiste, të cilat i përdorën për të kombinuar varësinë digjitale me dobësitë psikologjike dhe izolimin social të të rinjve.
Raporti shtoi se të rinjtë iu nënshtruan një procesi ekstremizimi vetjak përmes internetit, pa iu nënshtruar ndonjë organizate qendrore, por vepruan individualisht ose në grupe të vogla.
Rrezikshmëria e komuniteteve ekstremiste elektronike qëndron në nxitjen e përdoruesve për të kryer akte dhune dhe për të shantazhuar viktimat.
Aftësitë teknologjike në këto komunitete u shfaqën përmes sigurimit të kanaleve të sigurta përmes platformave të komunikimit të enkriptuar fund–më–fund (E2EE), si dhe përmes përdorimit të platformave të lojërave dhe realitetit virtual “Metaverse” për të përhapur gjuhën e urrejtjes.
U përdorën mjetet e inteligjencës artificiale në modelet e mëdha të gjuhës “LLMs” dhe teknologjia “deepfake” për të krijuar përmbajtje mashtruese. Kriptomonedhat dhe asetet digjitale të pazëvendësueshme “NFTs” mundësuan financim anonim, ndërsa teknikat e printimit 3D lehtësuan prodhimin sekret të armëve.

Grupet ekstremiste u mbështetën në përmbajtje të shkurtra si videot e shkurtra të tipit “TikTok”, “Instagram” dhe “YouTube Shorts” në favor të ekstremizmit.
Qendra “West Point CTC” tregoi se një sulm që kishte për synim koncertin e “Taylor Swift” në Vjenë në gusht 2024 ishte frymëzuar nga një video “TikTok” e një predikuesi salafist gjerman.
Autori i incidentit të therjes në Solingen të Gjermanisë më 23 gusht 2024 publikoi një video të shkurtër duke premtuar besnikëri ndaj ISIS në Telegram para se të kryente sulmin.
Organizata “ISIS – Afrika Perëndimore” publikoi më 19 maj 2025 një video propagandistike 16-minutëshe përmes “Telegram” dhe “TikTok”.
Partia ekstremiste “Alternativa për Gjermaninë (AfD)” u zgjerua në vitet 2024–2025 në publikimin e videove të shkurtra për të përhapur informacion të rremë për migrantët.

Shërbimi Holandez i Inteligjencës dhe Sigurisë “AIVD”, në korrik 2025, tregoi se grupet ekstremiste janë shpërndarë në platformat e rrjeteve sociale, aplikacionet e enkriptuara dhe platformat e lojërave elektronike si “Instagram”, “Telegram”, “TikTok”, loja “Roblox”, dhe aplikacioni “Discord”, ku promovojnë ide ekstremiste përmes grupeve të mbyllura të bisedës dhe duke përdorur emoji si “flamuri i zi” për referim ndaj ISIS.
Aplikacioni “Telegram” është më i përdoruri mes ekstremistëve. Gjatë viteve 2024–2025 u shënua kalimi i disa rrjeteve të ekstremit të djathtë drejt platformës “SimpleX”, për koordinim dhe përhapje materiali propagandistik që hiqet nga platformat publike.
Ekstremistët përdorin biseda me zë dhe me shkrim brenda lojërave si “Roblox”, “Minecraft” dhe “Fortnite” për t’u njohur, për të tërhequr vëmendjen me simbole kulturore, e më pas për ta zhvendosur bisedën drejt kanaleve të enkriptuara jashtë lojës.
Europol, më 1 qershor 2025, arriti të referojë më shumë se 2000 lidhje që përmbanin propagandë “xhihadiste” dhe diskurs ekstremist të djathtë që synonte adoleshentët në internet.

Grupet ekstremiste shfrytëzuan inteligjencën artificiale gjenerative duke kaluar nga përhapja e propagandës te rekrutimi interaktiv. Robotët e bisedës të mbështetur në inteligjencën artificiale mund t’u përgjigjen rekrutëve potencialë, t’u japin informacione bazuar në interesat e tyre dhe të tërheqin vëmendjen përmes komunikimit të drejtpërdrejtë.
Më pas, një person real merr përsipër ndërveprimin duke komunikuar drejtpërdrejt me viktimën, duke u mbështetur në atë që “ChatGPT ekstremist” i mundëson rritjen e aftësisë për të ndërtuar marrëdhënie personale dhe për të identifikuar individë me dobësi që mund të shfrytëzohen.

Terrorizmi në Afrikë: Rajoni i Sahelit si shembull
Inteligjenca artificiale si mjet me përdorim të dyfishtë
Grupet ekstremiste përdorin programe për falsifikim identitetesh dhe krijim identitetesh digjitale dhe video të rreme, si “Deepfake” dhe “text-to-video”, për të prodhuar video të pavërteta ku shfaqen liderë ose figura të njohura duke miratuar qëndrime ekstremiste.
ISIS–Khorasan, më 12 shkurt 2024, përdori identitete të rreme për të lehtësuar kalimin e luftëtarëve përmes kufijve të Turqisë dhe Iranit.
Një grup i lidhur me Al-Kaedën zhvilloi në shkurt 2024 punëtori trajnimi për përdorimin e “ChatGPT” dhe mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale për krijimin e mesazheve propagandistike të rreme.
Grupet e lidhura me ISIS publikuan një buletin lajmesh në platformën “Hasad al Akhbar”, ku shfaqej një prezantues virtual duke lavdëruar sulmin e Moskës që ndodhi më 22 mars 2024.
ISIS–Khorasan publikoi më 17 maj 2024 një video të rreme propagandistike me një prezantues digjital duke shpallur marrjen e përgjegjësisë për një sulm në provincën Kandahar të Afganistanit.
Rrymat e ekstremit të djathtë publikuan në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor 2024 foto dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale për përhapjen e mesazheve kundër migrantëve.
Prokuroria franceze arrestoi themeluesin e Telegramit, Pavel Durov, më 25 gusht 2024, me akuza për mosndalimin e aktivitetit terrorist në platformë, përfshirë shitjen e dokumenteve të rreme dhe ofrimin e shërbimeve elektronike të dyshimta.

Një raport i OKB-së në gusht 2025 tha se ISIS ka nisur gjatë viteve (2024–2025) fushata mediatike me prezantues të krijuar me inteligjencë artificiale në buletinet propagandistike pas sulmeve të mëdha.
Raporti i Agjencisë Evropiane për Siguri Kibernetike “ENISA”, për vitin 2025, tregoi se mbi 2500 klipe propagandistike janë prodhuar përmes teknologjisë deepfake dhe janë publikuar brenda një viti.
Komiteti Kundër Terrorizmit i Këshillit të Sigurimit e përshkroi si rrezik sigurie përdorimin e dronëve, sistemet ajrore pa pilot “UAS”, pasi janë mjete të lira, të lehta për t’u përdorur dhe kërkojnë trajnim minimal.
U rrit përdorimi i dronëve nga degët e Al-Kaedës dhe ISIS në (2024–2025) për t’i armatosur me eksploziv dhe për kryerje sulmesh të drejtpërdrejta në zonat e banuara, sidomos në Afrikën Perëndimore.
Grupi “Nusrat al Islam wal Muslimin”, i lidhur me Al-Kaedën në Mali, kreu një sulm me dron më 14 prill 2024.
I njëjti grup, më 9 nëntor 2024, kapi një dron të Forcës Afrikane Ruse gjatë një sulmi në Mali.
Ushtria somaleze rrëzoi në shkurt 2025 dy dronë zbulimi të drejtuar nga Al-Shabaab në rajonin “Galgadud”.
Grupi “Hafiz Gul Bahadur” në Pakistan, mes korrikut dhe shtatorit 2024, kreu 6 sulme me dronë të tipit “DJI” duke hedhur pajisje shpërthyese në tokë.
Ushtria pakistaneze hapi një hetim për një sulm të dyshuar me dron të kryer nga Tehrik-e-Taliban Pakistan në veri të “Waziristan” në maj 2025.
Policia pakistaneze, më 21 korrik 2025, njoftoi për përdorimin e dronëve nga ekstremistët në veriperëndim të Pakistanit për hedhjen e bombave mbi forcat e sigurisë.

Siguria Kombëtare Gjermane – Dronët, deri në çfarë mase ndryshojnë planet e “Dobrindt” për sigurinë ajrore?

Legjislacionet evropiane për luftimin e terrorizmit elektronik

Komisioni Evropian njoftoi, në shkurt 2024, se 23 shtete kanë caktuar autoritetet përgjegjëse për zbatimin e Rregullores për Heqjen e Përmbajtjes Terroriste Elektronike. Po ashtu, Ligji për Shërbimet Digjitale “DSA” hyri në fuqi më 17 shkurt 2024, duke u imponuar platformave elektronike të kryejnë vlerësime për fshirjen e përmbajtjes ekstreme dhe asaj të paligjshme. Bashkimi Evropian futi gjatë vitit 2024 legjislacione të tjera që lidhen me sigurinë kibernetike dhe tregjet e të dhënave, ndërsa Franca, më 21 maj 2024, përshtati dispozitat e rregullores evropiane në legjislacionin e brendshëm francez për sigurinë e hapësirës digjitale. Franca miratoi më 21 maj 2024 ligjin “SREN” që obligon heqjen e përmbajtjes terroriste brenda një ore nga raportimi, si edhe mbrojtjen e të miturve nga përmbajtjet e dëmshme.

Forumi Evropian i Internetit “EUIF” zgjeroi bazën e tij më 4 qershor 2024 duke përfshirë kompani si “SoundCloud” dhe “Amazon” për të marrë pjesë në kontrollin e përmbajtjes së rreme. Policia Federale gjermane dërgoi në vitin 2024 më shumë se 17 mijë kërkesa për ofruesit e shërbimeve elektronike për të fshirë përmbajtje të paligjshme “përfshirë terrorizmin”, ndërsa autoritetet gjermane kërkuan nga “Telegram” fshirjen e më shumë se 400 kanaleve që transmetonin “propagandë ekstreme” nga 7 tetori 2023 deri në gusht 2024.

Roli i Europol në luftimin e terrorizmit elektronik

Europol mbështet shtetet anëtare në parandalimin e krimeve kibernetike dhe terrorizmit, pasi shërben si qendër kryesore e informacionit, ofron mbështetje të shpejtë operacionale dhe u jep zgjidhje policive evropiane për gjurmimin e aktivitetit ekstremist elektronik. Europol ka dizajnuar produktin “TCO-DETECT” për ofruesit e internetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, i cili është një grup informacionesh me burime të hapura dhe dosje digjitale të lidhura me terrorizmin “xhihadist” dhe ekstremizmin e djathtë, duke përfshirë adresat e kriptomonedhave, armët e zjarrit të printuara me teknologji 3D, eksplozivët dhe materialet kimike. Europol ngriti projektin “SIRIUS” për shkëmbimin e njohurive mbi provat elektronike ndërkufitare dhe ofrimin e udhëzimeve nga rrjeti i ekspertëve.

Njësia e Referimit të Internetit të BE “EU IRU”, e cila funksionon brenda Qendrës Evropiane Kundër Terrorizmit në Europol, monitoron përmbajtjen terroriste, e analizon atë, kufizon qasjen në të dhe lehtëson ndjekjen penale të autorëve. Njësia koordinon përpjekjet e BE për të luftuar propagandën ekstreme online dhe bashkëpunimin e shteteve anëtare me ofruesit e shërbimeve online për zhvillimin e teknologjive për zbulimin e përmbajtjes terroriste.

Programet e parandalimit dhe shoqëria civile në BE

Gjermania, Franca dhe Holanda i dhanë përparësi gjatë viteve 2024 dhe 2025 luftës kundër terrorizmit digjital në kuadër të planit të veprimit të BE (2021-2027) për forcimin e arsimit digjital, i cili i obligon ofruesit e shërbimeve të internetit të fshijnë përmbajtjen terroriste brenda një ore. Holanda miratoi më 17 maj 2024 një strategji gjithëpërfshirëse për luftimin e ekstremizmit online (2024-2029) për të forcuar legjislacionin e ndjekjes së krimeve të lidhura me terrorizmin, duke ristrukturuar qendrën kombëtare të sigurisë kibernetike për të ndërgjegjësuar shoqërinë holandeze mbi kërcënimet digjitale dhe masat e sigurisë. Vlerësimi vjetor holandez për sigurinë kibernetike për vitin 2024 përfshiu një analizë të strategjisë kombëtare të Holandës, që fokusohet në forcimin e qytetarisë dhe në parandalimin e përhapjes së dezinformimit.

Rektorët e universiteteve gjermane kërkuan në shkurt 2025 nga qeveria të forcojë sigurinë kibernetike në universitete dhe të përmirësojë sistemet e alarmit të hershëm dhe shkëmbimin e informacionit inteligjent pa cenuar pavarësinë akademike. Instituti i Dialogut Strategjik në Gjermani “ISD” punon me institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile për edukimin qytetar digjital, luftimin e dezinformimit dhe ekstremizmit. Franca organizoi më 10-11 shkurt 2025 Samitin “Veprimi i Inteligjencës Artificiale” në kuadër të rolit të saj në luftën kundër krimit kibernetik në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Sistemet e Informacionit. Gjatë vitit 2025, Franca trajtoi antisemitizmin duke shtuar trajnimin e agjencive të zbatimit të ligjit dhe duke forcuar përfshirjen edukative e kulturore, ndërsa programi për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm u zhvillua më tej, duke mos u kufizuar vetëm në heqjen e përmbajtjes ekstreme.
Lufta kundër terrorizmit në Britani – A po e rikthen ISIS ndikimin e tij online?

Lexim i së ardhmes

U bë tashmë e qartë se përshtatja me mjetet moderne të teknologjisë është kthyer në pjesë thelbësore të strategjisë së organizatave “xhihadiste” dhe të ekstremit të djathtë, për të shkaktuar më shumë kaos në shoqëri dhe për të treguar aftësitë e tyre para ndjekësve, si edhe për t’u fshehur nga shërbimet evropiane të sigurisë dhe inteligjencës, të cilat prej një dekade janë fokusuar në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe armatosjes së ekstremistëve. Kjo i detyron këto shërbime të marrin masa të sakta për të parandaluar shpërndarjen masive të përmbajtjes ekstreme digjitale dhe mbylljen e kanaleve që punojnë në shërbim të këtyre organizatave dhe ideologjive.

Inteligjenca artificiale ka kaluar nga një mjet thjesht për të përhapur përmbajtje ekstreme dhe për të rekrutuar elementë të rinj, në një mjet për të kryer sulme ndërkufitare dhe për të spiunuar institucione qeveritare, duke mbledhur informacione shumë të ndjeshme për shtetet, duke u mbështetur në inteligjencën artificiale gjenerative dhe dronët. Kjo rrit frikën për rrezikshmërinë e operacioneve terroriste në vitet e ardhshme dhe për natyrën e zonave që grupet ekstreme mund të synojnë.

Organizatat ekstreme e kanë bërë tashmë sulmin kibernetik një metodë të përhershme për të zgjeruar ndikimin dhe për të tërhequr të rinjtë e adoleshentët, pasi shumica e tyre kalojnë kohën në rrjetet sociale dhe aplikacionet e lojërave për komunikim e informacion. Kjo nënkupton se është shumë më e lehtë t’i rekrutosh dhe t’i shtysh drejt veprimeve të rrezikshme me saktësi e shpejtësi më të madhe.

Bashkimi Evropian duhet të studiojë shkaqet e sulmeve kibernetike që ka përjetuar dhe dobësitë që ekstremistët kanë shfrytëzuar për t’i kryer ato, duke hartuar një strategji parandaluese për çdo lëvizje të ngjashme online. Duhet që shtetet e BE të zhvillojnë masat në mënyrë që agjencitë e sigurisë të jenë më fleksibile dhe të përshtaten me zhvillimet teknologjike që shfrytëzojnë grupet ekstreme, duke forcuar bashkëpunimin mes institucioneve të inteligjencës, sigurisë, universiteteve dhe shoqërisë civile, për ndjekjen e përmbajtjes së postuar në internet dhe asaj të krijuar me inteligjencë artificiale, në mënyrë që të identifikohen përmbajtjet ekstreme, dezinformimet, dhe fotot e videot e falsifikuara.

Rritja e përdorimit të inteligjencës artificiale nga degët e Al-Qaedës dhe ISIS në Afrikë dhe Azi rrit përgjegjësinë e shteteve të BE në luftën kundër terrorizmit digjital, pasi këto degë janë më aktive në sulme jashtë dy kontinenteve, në rekrutim online dhe në krijimin e qelizave ndërkufitare.

Pritet që shtetet e BE të zgjerojnë hapat për monitorimin e përmbajtjes ekstreme “xhihadiste” dhe të djathtë ekstreme, sidomos pasi lufta në Gaza ishte një shembull i qartë i rritjes së polarizimit mes organizatave islamiste dhe ekstremit të djathtë në hapësirën digjitale.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark