Insajderi
Lajme

Lëvizja Vetëvendosje del me komunikatë: Në mbledhjen e jashtëzakonshme u vendos të votohen nënkryetarët e opozitës

Insajderi
12 September 2026 - 22:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Lëvizja Vetëvendosje del me komunikatë: Në mbledhjen e jashtëzakonshme u vendos të votohen nënkryetarët e opozitës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të votojë pro kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, për postet e nënkryetarëve të Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive të caktuar për nesër në orën 10:00.

Në njoftimin për media të kësaj partie thuhet se vendimi u mor sonte gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kryesisë së partisë, me qëllim, sipas tyre, sigurimin e stabilitetit institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe shmangien e një pale të re zgjedhjesh të parakohshme, të cilat do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet.

Postimi i plotë:

Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme.

U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen. Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet!

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve.

Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër.

Në vitin 2025 ne si subjekt fitues me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetë të pakicave i kishim 57 deputetë. Pra vetëm katër deputetë mangu, e duke e zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, plot katër herë e ndryshuam emrin e kandidatit tonë për kryetar kuvendi para se të zgjidhej Dimal Basha me 26 gusht, pesë muaj pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Refuzimi i partive opozitare për Albulena Haxhiun asokohe u pasua edhe me refuzim të Donika Gërvallës, Hekuran Muratit e Arbërie Nagavcit.

E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne.

Nesër në mëngjes deputetët e PDK-së porsa ta ripropozojnë Vlora Çitakun (e cila edhe ashtu i ka edhe dy mundësi), ne do ta votojmë.

Gjithashtu, shpresojmë që edhe deputeti Kujtim Shala, nënkryetar i ardhshëm i kuvendit, të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun president sipas marrëveshjes LVV-LDK.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark